22:27 / E Mërkurë, 09 Maj 2018 / indeksADMonline

Gashi: EULEX-i ishte mashë në duart e politikanëve të Kosovës

Avokati Tomë Gashi e ka cilësuar të dëmshme prezencën e EULEX-it në Kosovë në këto 10 vitet e fundit.

Gashi, duke folur në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, ka thënë se duke pasur parasysh deklaratat e fundit të kryetarit të Gjykatës së EULEX-it, i cili ka thënë se misioni EULEX ka qenë mashë në duart e politikanëve të Kosovës dhe u ka shërbyer nevojave të tyre, prandaj ky mision ka qenë i dëmshëm, përcjell Telegrafi.

“EULEX-i është përdorur për të arrestuar persona, të cilët kanë dalë jashtë vijës politike të udhëheqësve politik dhe shtetëror të Kosovës. Po ashtu është përdorur për të liruar ata që eventualisht janë akuzuar në mënyrë të qëllimshme apo të gabuar dhe kemi pasur marrjen e pafajësisë të një numri të caktuar të politikanëve, të cilët sipas EULEX-it kanë ra ndesh me drejtësinë, por që shumica e aktgjykimeve kanë qenë liruese”, tha Gashi.

Ai ka thënë se Kosova ka mundur të piqet më herët dhe të krijojë një pavarësi juridike, nëse pas misionit të UNMIK-ut, në vitin 2008, Kosova nuk do të pranonte misionin EULEX.

Gashi ka thënë se EULEX ka qenë një mision i imponuar nga Bashkimi Evropian.

Ai thotë se EULEX misionin e tij është dashur ta shtrijë më shumë në veri të vendit, atje ku gjyqësori i Kosovës nuk ka qasje.