23:55 / E Diele, 10 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Gatuso: Ky është mesfushori më i mirë në Serie A

“Bologna na vuri në vështirësi të madhe. I gëzohemi fitores, por jemi të vetëdijshëm se rruga është ende e gjatë. E sotmja një pikë kthese? Kur fitohet, natyrshëm punohet më mirë. Si të rikthejmë Milan-in sërish lartë? Nëpërmjet rezultateve, ndjenjës së përkatësisë dhe respektit të rregullave, por mbi të gjitha duke u sakrifikuar për këtë fanellë. Nuk dua të drejtoj gishtin nga Vincenzo Montella, por xhonglimi i mirë nuk mjafton, nevojitet të përmirësohet. Sulmuesit e mi? Jo të gjithë kanë shprehur maksimumin, por duhet të vihen në kushtet për të shënuar. Kështu diskutimi vlen për të gjithë”. Kështu e komentoi fitoren e Milan, duke përshkruar edhe situatën në kampin kuqezi, trajneri Gattuso në përfundim të ndeshjes ndaj Bologna, e përfunduar me rezultatin 2-1, në favor të vendasve.

Në fjalën e tij, trajneri i Milan, nuk mund të linte pa përmendur edhe protagonistin kryesor të fitores së kuqezinjve, Giacomo (Jack) Bonaventura: “Bonaventura mund të luajë kudo, ka cilësitë, me një gjendje fizike që e mbështet mund të luajë në të gjithë fushën. Është një futbollist shumë i rëndësishëm. Është një prej mesfushorëve më të fortë në Itali për atë që di të bëjë. Në fillim të sezonit nuk kishte vijimësi, tani po rikuperon gjendjen fizike, mund të përmirësohet ende”.

Temat: