18:34 / E Enjte, 01 Mars 2018 / indeksADMonline

Gazetari që shkroi kundër regjimit të Millosheviqit s’merr dekoratë nga Thaçi, ka një mesazh për të!

Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, ka dekoruar një numër të madh të personaliteteve me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, në mesin e tyre edhe disa gazetarë. Mirëpo, në emrat e këtyre të fundit nuk ishte përfshirë njëri prej gazetarëve që pati një kontribut të jashtëzakonshëm si para lufte ashtu edhe pas lufte.

Bëhet fjalë për Agim Muhaxherin, i cili përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” ka thënë disa fjalë rreth kësaj çështje.

Ndër të tjera, ai ka përmendur njërin prej rasteve gjyqësore të cilin e kishte ndjekur, e ku i përfshirë ishte edhe presidenti aktual, Hashim Thaçi.

Muhaxheri thotë se presidenti ka dekoruar “dostat e tij, papagajtë që s’dinë ç’është gazetaria…”

“Unë qëndrova këmbëkryq në Kosovë. Ku ishe ti, president i tymit dhe dostat tu ? Do ta ndija vetën të fyer po të më jepte dekoratë – “karton” ky tipi që i thotë vetes president”, ka shkruar ai.

Postim i plotë:

Do ta ndija vetën i fyer po të më dekoronte presidenti i tymit

Më 12 korrik 1997 në gazetën “Bujku” publikoj raportin nga gjyqi të titulluar “Shqiptarëve të pambrojtur: 264 vjet burg”. Raporti nis në ballinë, vazhdon në faqen 18, i ilustruar me fotografinë e fotoreporterit Ilaz Bylykbashit.

Atëbotë iu bë gjyq 15 të akuzuarve, 12 prej të cilëve u dënuan në mungesë.

Njëri nga mestitujt ishte Dënime drakoniane.

Aty shkruaj: Gjithsej që të gjithë të akuzuarve gjyqi serb i Prishtinës ua shqiptoi 264 vjet burg “në emër të popullit”, kundër një populli tjetër.

Me nga 20 vjet burg u dënuan: Besim Rama, Adem Jashari, Jakup Nura, Fadil Kadriu, Nuredin Lushtaku, Sahit Jashari, Rafet Rama, Sami Lushtaku, Ilaz Kadriu, Rexhep Selimi dhe Zenun Kadriu. Ndërkaq, nga 15 vjet u dënuan Idriz Asllani e Ali Jonuzi, Hashim Thaçi – 10, ndërsa Avni Nura u dënua me 4 vjet…

Unë i bie topuz regjimit të Milosheviqit.

S’ma ka ndie për krala e kralica, as për zhupana…

E ky shitësi i “farmerkave”, presidenti i tymit i dekoron sot dostat e tij, ndër ta edhe gazetarë…

Papagajtë e tij s’dinë ç’është gazetaria…

Unë qëndrova këmbëkryq në Kosovë. Ku ishe ti, president i tymit dhe dostat tu ?

Do ta ndija vetën të fyer po të më jepte dekoratë – “karton” ky tipi që i thotë vetes president.