Gazmend Muhaxheri tregon kur merret vendimi për ta bashkëqeverisur Pejën
LDK-ja në komunën e Pejës pritet shumë shpejtë të bashkëqeverisë me ndonjërën nga subjektet partiake.
Pa dhënë detaje, kryetari i zgjedhur që ta qeverisë këtë komunë edhe për një mandat, Gazmend Muhaxheri, ka thënë për “Indeksonline” se brenda muajit do të krijohet një bashkëqeverisje.
Ai nuk ka treguar se me cilën parti po diskutojnë, por është shprehur i bindur se dilemat do të hiqen deri në fund të marsit.
“Qeveria është duke funksionuar me ushtruesit e detyrës së drejtorëve që kanë qenë më herët. Brenda muajit besoj që përfundojnë negociatat për qeverisje dhe e bëjmë qeverinë. Nuk e kemi caktuar ende, por brenda muajit i sqarojmë të gjitha dilemat që i kemi. Shumë mirë po shkon puna në komunën e Pejës”, ka thënë ai.
Kujtojmë se në zgjedhjet lokale të 22 tetorit, Muhaxheri kishte marrë Pejën pa balotazh, duke arritur 50.31 % të votave./Indeksonline/