23:26 / E Enjte, 22 Mars 2018 / indeksADMonline

Gënjeshtra e Viva Fresh – “Mishin e dyshimtë e mbanim në frigorifer për ta gjuajtur më vonë”

Kush e mbanë mishin që nuk e ka përdorim në frigorifer? Askush përpos marketit “Viva Fresh”. Kështu së paku e kanë arsyetuar “Viva Fresh” kur i doli fakti se Inspektorati Komunal ua ka asgjësuar mbi 500 kilogram mish të dyshimtë, që ishte gjetur në frigoriferët e këtij marketi.

Në fakt, arsyetimi i “Viva Fresh” është një gënjeshtër. Dallimet mes asaj që shkruhet në raportin e Inspektoratit Komunal të Mitrovicës dhe reagimit apo sqarimit të “Viva Fresh” qesin në pah faktin se ky market e mbante mishin në frigoriferët e depos së tyre për ta shitur.

Në raportin e Inspektoratit Komunal gjatë kontrollit që i ka bërë “Viva Fresh” me 13 shkurt të këtij viti, thuhet se në pikën e saj në Shupkovc të Mitrovicës është gjetur se “Viva Fresh” kishte në frigon e saj mbetje të mishit dhe mish të ngrirë që nuk kishte asnjë deklarim.

“Me datë 13.02.2018 kemi kryer kontrollin inspektues në “Viva Fresh” SHPK i cili veprimtarinë e zhvillon në Shupkovc-Mitrovicë, ku u konstatua se në frigon e këtij subjekti afarist ndodhet një sasi prej 573.40kg e mbetjeve të mishit dhe mishit i cili është i ngrirë dhe nuk ka kurrfarë deklaracioni dhe nuk dihet destinimi i tij. Me këtë veprim ka rrezikuar në mënyrë serioze shëndetin e konsumatorëve që furnizohen me ushqime jo të sigurta dhe të papërshtatshme për konsum”, thuhet në procesverbalin që e ka siguruar Metro.

Por në reagimin e “Viva Fresh” thuhet se ata po e mbanin mishin në frigo për ta gjuajtur më vonë.

“Mbetjet e mishit të gjetura në dyqanin tonë kanë qenë të grumbulluara në një vend të veçantë në depo, me destinim asgjësimin, sipas legjislacionit në fuqi. Pra nuk kanë qenë në shitje, dhe këtë gjë e dëshmon procesverbali i Inspektorit me nr.0995. Mbetjet e grumbulluara për asgjësim kanë qenë të sinjalizuara që nuk janë për shitje, së bashku me disa produkte të tjera, të cilat poashtu kanë qenë në proces asgjësimi”, thuhet në sqarimin e tyre.