Giresse për Kosovën: Po arrijnë diçka të jashtëzakonshme!
Ish-përzgjedhësi i Kosovës, Alain Giresse, ka ndarë për herë të parë mendimet e tij pas pothuajse dy vitesh nga largimi, në një intervistë për gazetën prestigjioze “L’Equipe”. Ai foli për rrugëtimin dhe progresin e madh të kombëtares së Kosovës, e cila është pranë një momenti historik.
Gjatë periudhës së tij në krye të ekipit (2022–2023), Giresse drejtoi “Dardanët” në 14 ndeshje, duke arritur një mesatare prej 1.29 pikësh për ndeshje, shkruan Indeksonline
Duke komentuar suksesin aktual të Kosovës, ai u shpreh:
“Ata po arrijnë diçka mjaft të jashtëzakonshme dhe të rrallë për një vend kaq të ri. Nuk kam qenë indiferent ndaj asaj që kam përjetuar atje, kështu që nuk jam indiferent as ndaj asaj që po arrijnë sot”.
Sipas tij, përparimi i ekipit është i dukshëm:
“Kur i sheh duke luajtur, nuk mund ta imagjinosh që kjo skuadër është kaq e re! Para disa vitesh, ishte ende pak e papjekur. U desh kohë për të ndërtuar diçka reale, me një identitet”.
Ai kujtoi edhe sfidat në fillim, sidomos mungesën e komunikimit të përbashkët:
“Disa lojtarë kishin përvojë në turne të mëdhenj, por nuk kishin luajtur kurrë bashkë dhe nuk flisnin të njëjtën gjuhë. Ne komunikonim kryesisht në anglisht. E vetmja gjë që i bashkonte ishte ky vend”.
Giresse vlerësoi gjithashtu përkushtimin e lojtarëve dhe rëndësinë emocionale të përfaqësimit:
“Ndjeva një përkushtim të madh nga lojtarët për ta veshur këtë fanellë. Kur mëson për historinë e Kosovës, e kupton se përfaqësimi i këtij ekipi është një përvojë shumë e fuqishme. Ata i thoshin vetes: ‘Ky është vendi ynë’”.
Në fund, ai theksoi se vazhdon të mbajë lidhje me disa nga ish-lojtarët dhe stafin:
“Sigurisht që çdo gjë ka një fund, por marrëdhëniet mbeten”./Indeksonline/

