12:01 / E Mërkurë, 30 Maj 2018 / indeksADMonline

Gjenden eshtra njerëzish në një varr të dyshuar lufte në Gjakovë

Eshtrat e pesë personave janë gjetur në një varr të dyshuar masiv pranë qytetit të Gjakovës në Kosovë, edhe pse identiteti i tyre dhe shkaku i vdekjes mbetet ende për t’u përcaktuar.

EULEX tha se eshtrat e pesë trupave u gjetën gjatë një kërkimi për një varr masiv pranë Gjakovës.

“Zhvarrimi i parë u krye në fund të nëntorit 2017 dhe u gjetën tre eshtra. EULEX mund të konfirmojë se tani kanë eshtrat e pesë personave të ndryshëm,” tha një zëdhënës i EULEX-it për BIRN.

Misioni i BE-së vazhdon ende në vendin e gërmimit.

“EULEX-i nuk mund të japë detaje të mëtejshme përpara se të bëhet identifikimi me anë të ADN-së,” shtoi ai.

Ekspertët e EULEX-it kanë punuar në vendin e varrit të dyshuar të luftës në Gjakovë që nga prilli i vitit të kaluar. Zhvarrimi i parë u krye në fund të nëntorit 2017 dhe fillimisht eshtrat e tre trupave.

Komisionet qeveritare për personat e zhdukur nga Kosova dhe Serbia janë përfshirë në këtë proces.

Kreu i Komisionit të Personave të Zhdukur të qeverisë serbe, Velko Odaloviq, tha të martën se identiteti i të vdekurve do të përcaktohet nga ekspertë të mjekësisë ligjore, por ka arsye për të besuar se ata ishin serbë të Kosovës të cilët janë renditur si të zhdukur gjatë dhe pas luftës së vitit 1999.

“Kjo ishte koha kur terroristët shqiptarë kryen krime pa u ndëshkuar, arrestuan njerëz, i morën në pyetje, i mbyllën dhe më pas vranë shumë prej tyre,” tha Odaloviq për gazetën e përditshme Politika.

Ai tha se dy vende të tjera në të njëjtën zonë që dyshohet se përmbajnë eshtra njerëzish do të shqyrtohen gjithashtu.

Homologu i Odaloviqit në Kosovë, Prenk Gjetaj, e përshkroi deklaratën e tij si “tendencioze”.

“Ne i kundërshtojmë fuqimisht deklarata të tilla. Odaloviq nuk mund të ketë dijeni për identitetin e viktimave përpara se të kryhen të gjitha testet,” tha Gjetaj për BIRN të mërkurën.

“Neve na kërkohet të gjejmë të gjithë personat e zhdukur, pavarësisht përkatësisë etnike të viktimave dhe kjo është përparësia jonë,” shtoi ai.

Një total prej 1,652 personash janë ende në listën e të zhdukurve nga lufta e vitit 1999 në Kosovë. Shumica prej tyre në listë janë shqiptarë, por ka edhe serbë, romë dhe anëtarë të komuniteteve të tjera etnike.