10:15 / E Shtunë, 04 Shtator 2021 / B O

Gjermani, organizatat ambientaliste përgatiten t’i padisin kompanitë e automobilave

Organizatat ambientaliste Greenpeace dhe Deutsche Umwelthilfe (DUH) po përgatiten të padisin prodhuesit gjermanë të automobilave BMW, Daimler, Volkswagen dhe furnizuesin e energjisë Wintershall për shkak të “masave të papërshtatshme për mbrojtjen e klimës”, raporton Anadolu Agency (AA).

Përfaqësuesit e organizatave thanë në një deklaratë në Qendrën Federale të Shtypit në kryeqytetin gjerman Berlin se kanë kërkuar që prodhuesit gjermanë të ndalojnë prodhimin e makinave me motorë me djegie të brendshme deri në vitin 2030, dhe që Wintershall duhet të ndalojë hapjen e fushave të reja të naftës dhe gazit nga viti 2026.

Greenpeace dhe Deutsche Umwelthilfe u kanë dhënë kompanive disa javë kohë për t’iu përgjigjur kërkesave të tyre, duke argumentuar se afatet e dhëna kompanive janë të nevojshme për ato për të arritur qëllimet e Marrëveshjes së Parisit për Klimën dhe Aktin Gjerman të Mbrojtjes së Klimës.

Organizatat njoftuan se do të ngrenë padi në gjykatat gjermane nëse nuk marrin përgjigje nga prodhuesit e automobilave dhe furnizuesi i energjisë ndaj kërkesave të tyre.