16:44 / E Diele, 18 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Gjermania fillon t’i ndaloj makinat dizel edhe në ‘autobane’

Ishte vetëm çështje kohe përpara se gjykatat gjermane ta kthenin vëmendjen e tyre në autostradat e vendit, në lidhje me ndalimin e automjeteve të vjetra dizel.

Ditë më parë, një gjykatë vendosi në favor të ndalimit të automjeteve të vjetra dizel në zona të caktuara të qendrës së qytetit të Gelsenkirchen dhe Essen, si dhe pjesë të autostradës A40. Këto kufizime pritet të fillojnë në korrik 2019, transmeton IndeksOnline.

Sipas Deutsche Welle, Ministria e Mjedisit e Nordrhein-Westfalisë, shteti perëndimor ku ndodhet seksioni i prekur i autostradës, tha se ka në plan të apelojë vendimin.

Ndryshe nga ndalesat në qendër të qyteteve, ku ende shoferët kanë opsione të shumëfishta për zgjidhje, ndalimet në ‘autobane’ mund të ndikojnë në mënyrë drastike në jetën e udhëtarëve për të udhëtuar nga një qytet në tjetrin.

Ky vendim i fundit vjen vetëm disa ditë më parë, pasi një gjykatë vendosi në favor të ndalimit dizel në zona të caktuara të Kolnit dhe Bonnit.

Vende të tjera ku makinat dizel pritet të kenë kohë të vështirë në vitin 2019 përfshijnë qytete si Mainz, Stuttgart, Aachen, Frankfurt dhe Berlin – dy të fundit kanë gjithashtu për qëllim ndalimin e Euro 5 dizel ( jo vetëm Euro 4 ) përpara fundit të vitit të ardhshëm.

Shitjet e makinave me naftë në Gjermani kanë rënë në 31.1 përqind të totalit në gjysmën e parë të vitit 2018 nga 41.3 përqind një vit më parë. /IndeksOnline/