Gjithçka që dihet rreth rastit tragjik, në Hallaq të Madh
Rruga që të shpie nga Lipjani në Hallaq të Madh, është bllokuar që nga ora 07:00.
Hetuesit policorë, krimteknika dhe forenzika po merren me zbardhjen e rastit tragjik që tronditi sot vendin, raporton IndeksOnline.
Një person mbeti i vrarë, ndërsa pesë të tjerë morën plumba si pasojë e një konflikti midis dy familjeve nga Ribari i Madh i Lipjanit.
Familja Hoxha dhe ajo Jakupi u përleshën në mes të rrugës kryesore të Hallqit të Madh për të qëruar hesapet e një konflikti të mëparshëm.
Automjetet e familjeve të përfshira në këtë rast vazhdojnë të qëndrojnë në vendin e ngjarjes.
Policia nuk ka lejuar mediat të afroheshin në vendin e krimit për shkak të sigurisë së vendit të ngjarjes.
IndeksOnline ka raportuar në vazhdimësi ekskluzivisht për këtë ngjarje tragjike.
Të gjithë të plagosurit ndodhen aktualisht në Emergjencën e QKUK-së ku po ruhen nën masa të rrepta sigurie./IndeksOnline/