13:57 / E Mërkurë, 23 Janar 2019 / indeksADMonline

Gjuetia ilegale në Kosovë, inspektorët me plan operacional në 6 regjione!

Gjatë së dielës së kaluar, Drejtoria Qendrore e Inspekcionit për Pylltari dhe Gjueti ka përgatitur një plan operacional në nivel vendi në gjashtë regjione të Republikës së Kosovës me qëllim të inspektimit dhe identifikimit të personave fizik dhe juridik që merren me gjueti ilegale.

Si rezultat i kësaj, është bërë identifikimi i disa personave në regjionin e Gjilanit.

10 persona janë identifikuar të cilët ishin me leje të gjuetisë mirëpo Inspekcioni kishte lëshuar vendim që në komunën e Gjilanit të mos ketë hapje të sezonit të gjuetisë.

Përveç kësaj, gjuetarët ilegalë janë hasur edhe në komunën e Mitrovicës ndaj të cilëve janë në procedurë të marrjes së masës.

“Kemi pasur informacione për gjueti ilegale në komunën e Prizrenit, madje në bashkëpunim me gjuetar të ardhur nga Republika e Shqipërisë. Inspektorati ka bashkëpunuar me rojtarët e Parkut Nacional “Sharri” dhe mbas inspektimit dhe konstatimit për këtë informacion z. B.G. ka kërcënuar rojtarin e këtij Parku për shkak të dyshimeve se informatën ai ia ka dërguar inspektoratit”, ka thënë për “Indeksonline”, Besim Zogu, drejtor i Drejtorit Qendror për Pylltari dhe Gjueti, MBPZHR.

Ai ka treguar se kanë informacione dhe sugjerime që i janë dhënë si Drejtori e Inspekcionit që rasti të lajmërohet në Polici për shkak të kanosjes së personit zyrtar.

“Një gjë e tillë edhe ka ndodhur dhe lënda është në procedurë të rregullt. Është bërë denoncimi në stacionin e Prizrenit. Sipas deklarimit, aksione të tilla do të vazhdojnë edhe në ditët në vazhdim dhe do t’i vëmë para ligjit të gjithë ata që bien ndesh me ligjin e gjuetisë pa marrë parasysh se kush janë ata persona”, është shprehur ai. /Indeksonline/