12:31 / E Premte, 06 Prill 2018 / indeksADMonline

Gjuriq nesër në Kosovë, ja pse MPJ i dha leje!

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrës për Kosovën, Marko Gjuriq do të vije nesër në Kosovë, por kësaj radhe me leje të institucioneve të vendit.

Këtë e konfirmuar për Indeksonline, këshilltari i zëvendëskryeministrit Pacolli, Jetlir Zymberaj.

“Po, kërkesa i është aprovuar në frymën e paqes dhe mirëkuptimit me rastin e festës së pashkëve ortodokse.  Pa marrë parasysh që është zyrtar, ai sikurse secili pelegrin tjetër e gëzon të drejtën që të lutet në cilëndo kishë që ai dëshiron”, ka thënë Zymberaj.

Sipas tij, Gjuriq do të respektoj rregullat kësaj radhe, duke iu referuar rastit që kishte herën e kaluar kur hyri ilegalisht në Kosovë.

“Rregullat do ti respektoj ngase është përballur dhe është njohur me realitetin e ri në Kosovë dhe nëpërmjet tij, me këtë realitet është njohur secili zyrtar i shtetit serb”, ka thënë tutje Zymberaj.

Kujtojmë se Gjuriq erdhi në Kosovë më 26 mars, por MPJ i kishte refuzuar kërkesën për të vizituar vendin.

Si pasojë, ai është arrestuar në veri të Mitrovicës, për t’u lënë i lirë përsëri në mbrëmje. /Indeksonline/