75 Mall Live Search
13:51 / E Mërkurë, 04 Shtator 2024 / MSH

Gjyqin nuk ka kush t’ia bëjë gjyqit!

Lulëzim Etemaj, ish- i burgosur politik, i nxitur nga rrëfimet e kolegëve në TV “Dukagjin”, si dhe nga paraqitja e mbrëmshme e ish- udbashit Mehmet Loci, nëpërmjet vargjeve poetike, i ka përshkruar disa detaje të tururave të cilat i kanë vuajtur si të rinj, vetëm pse kanë kërkuar Republikë për Kosovën.

“Gjyqin nuk ka kush të i bëj gjyqit”, e titullon poezinë Etemaj, bazuar në gjendjen aktuale në Kosovë, pasi që nga përfundimi i pas luftës çlirimtare, pjesa dërmuese e gjyqtarëve (dhe jo vetëm) që i gjykuan të rinjtë për veprimtari atdhetare, vazhdojnë të ndajnë “drejtësi”.

Poezia e plotë:

GJYQIN NUK KA KUSH TË IA BËJË GJYQIT

Në fillim ishte:

Republikë, Kushtetutë,

Ja me hatër, ja me luftë!

Pastaj u mbushën plotë burgjet, burra e gra e djem e qika të Kosovës

Liria po priste te dera, s‘e kishte thënë kot Jusuf Gërvalla

Në mezokohë dajaku në dorë të udbashit shqiptar

I thyente eshtrat tona!

Njërës nga ato, që një javë para i kishte mbush të tetëmbëdhjetat

E nëpër rrugët dhe sheshet e Prishtinës brohoriti: Rroftë Kosova Republikë!

Para se ta nxjerrnin natën buzë një përroi për pushkatim

Udbashët ia dogjën trupin e njomë me cigare

Se nuk po hiqte dorë prej lirisë e prej vetvetës!

Në televizion

në aktin e parafundit të lirisë

burra e gra

Tregojnë të skuqur, me përtesë e ndrojtje

Ndonjë nga eshtrat e tyre dhe plagët e shtatit

Në aktin pa numër, me të vetmin dëshmitarë- natën!

Ndërsa sot, përtej 40 vjet pas

Në emër të fjalës së lirë, radha e fjalës i vie edhe udbashit

Gjyqin nuk ka kush të ia bëjë gjyqit!

3 shtator 2024