17:52 / E Diele, 18 Mars 2018 / indeksADMonline

Greqia dhe Shqipëria, projekt për kultivimin e ullirit

Inkurajimi i kultivimit të ullirit autokton si një potencial për zhvillimin ekonomik të rajonit, është në fokus të një projekti që po zbatohet mes bashkisë, Nikolaos Skoufas në Greqi, Këshillit të Qarkut Vlorë dhe Bashkisë Berat.

Në një prononcim për ATSH-në, kryetari i Këshillit të Qarkut Vlorë, Ervis Moçka, ndalet te impakti që do të ketë zbatimi i këtij projekti në zhvillimin e agroturizmit, si dhe të ekonomive familjare dhe bizneseve, që merren me kultivimin e ullirit në Qarkun e Vlorës.

Me një shtrirje në ultësirën bregdetare, qarku i Vlorës përfshin tarracat tradicionale të kultivimit të ullinjve, të cilat me mbështetjen e duhur teknike dhe më pas me vijimin e një linje marketingu për prodhimin vendas, mund të orientohen drejt tregjeve europiane dhe më gjerë.

Projekti “Olive Culture” që pritet të fillojë në muajin prill, sipas Moçkës, zbatohet në kuadër të Programit Ndërkufitar Greqi-Shqipëri 2014-2020.

Partnerë në këtë projekt janë Bashkia e Nikolaos Skoufas (Greqi), Instituti Teknologjik në Arte (Greqi), Universiteti Jonian, qarku Vlorë dhe Bashkia Berat. Konkretisht, Bashkia e Nikolaos Skoufas në Greqi njihet për traditën në kultivimin e ullirit të tavolinës.

“Përmes shkëmbimit të përvojave dhe transferimit të njohurive, projekti synon përmirësimin e teknikave për kultivimin e ullirit të tavolinës, duke inkurajuar ullirin identik autokton, marketingun dhe inkurajimin e aktiviteteve të agrobiznesit dhe duke krijuar tre qendra paralele në Nikolaos Skoufas në Greqi, Vlorë dhe Berat”, tha Moçka.

Këto do të jenë qendra informimi, trajnimi, shkëmbimi njohurish, kërkimi dhe aktivizimi i një sistemi të integruar menaxhimi, duke përfshirë gjithë aktorët dhe palët e interesuara në territor.

Njohuria dhe përvoja e fituar do të paraqitet më tej në panairet evropiane për ullirin dhe agrobiznesin në Spanjë, Francë dhe Gjermani.

“Qëllimi kryesor i projektit ishte krijimi i një mekanizmi përmes përdorimit të teknologjisë për të njoftuar dhe parandaluar në kohë reale sëmundjen e ullirit nga miza fluturuese, çka ndikon në prodhimin dhe cilësinë e vajit të ullirit”, tha Moçka.

Kjo platformë, sipas tij, vijon të jetë aktive për çdo kohë dhe është pjesë e një platforme marketingu më të madhe, jo thjesht në nivel projekti, por një programi me shtrirje përtej evropiane që i jep mundësi çdo pale të interesuar në botë në qasjen me prodhimin vendas.