22:38 / E Premte, 20 Korrik 2018 / indeksADMonline

Gurëthyesit në Istog sjellin viktimën e parë (Foto)

Katër muaj më parë, Indeksonline kishte raportuar për “masakrën” që po iu bëhet Bjeshkëve të Istogut nga disa kompani të gurëthyesve privat. Pavarësisht se ndodhen në një zonë të mbrojtur të quajtur si “Parku Kombëtar i Bjeshkëve të Nemuna”, kompani të afërta me pushtetin lokal në Istog ndër vite kanë degraduar bukuritë e kësaj ane duke shkatërruar kodra e male për t’i shëndrruar në humnera e gropa të thella.

http://indeksonline.net/gurthyesit-po-shkaterrojne-bjeshket-e-istogut-pamje-deshperuese-foto-video/

Njëra nga këto gropa doli të jetë fatale të hënën e kësaj jave për tashmë të ndjerin, Rrustem Maraj, shkruan Indeksonline.

Invalidi i luftës, banor i fshatit Vrellë ishte duke kullotur dhitë kur në përpjekje për të shpëtuar një dhi që kishte rënë në pus, nuk doli më i gjallë. Pavarësisht përpjekjeve nga Policia dhe Zjarrëfikësit, ishte e pamundur të shpëtohej personi në fjalë pasi që puset e gurëthyesve janë të baltosura dhe është e vështirë t’i rezistosh.

Se gurëthyesit mund të sjellin viktima, këtë e kishte paralajmëruar kryetari i Vrellës, Idriz Blakaj.

“Nëse shteti nuk merr masa t’i ndalë këta gurthyes, mund të ketë edhe tragjedi njerëzore” kishte thënë Blakaj para 4 muajsh për Indeksonline.

Në anën tjetër, kompanitë “Guri” dhe “Aleni” gjithmonë janë arsyetuar se kanë leje nga komuna dhe Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor.

Për shkatërrimin e natyrës, gërmimin e tokës, dhe tashmë viktimën e parë, askush nuk është deklaruar e nuk merr përgjegjësi.

Të gjitha institucionet po heshtin përballë një tragjedie e paralajmëruar me vite e muaj më parë.

Rrustem Maraj nuk mund të jetë jetë viktima e fundit pasi që humnerat e thella e të shumta përbëjnë rrezik serioz për banorët e asaj ane.

Ndërkohë, komuna e Istogut pak javë më parë kishte marrë vendim që dhjetëra hektarë të jipen për shfrytëzim disa kompani të gurëthyesve në 15 vitet e ardhshme.

Pjesë e shfrytëzuesve kanë qenë dhe janë edhe vëllezërit e Haki Rugovës me kompaninë e tyre./Indeksonline/