75 Mall Live Search
21:03 / E Mërkurë, 27 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Hahn: Disa vende të Ballkanit mund të anëtarësohen në BE në vitin 2025

Komisionari për zgjerim, Johannes Hahn, është i mendimit se anëtarësimi i disa shteteve anëtare nga Ballkani deri në vitin 2025 është një synim ambicioz, por i realizueshëm.

“Presidenti i Komisionit të Europës e ka përmendur vitin 2025 si vit të mundshëm për anëtarësimin e disa kandidatëve nga Ballkani në Bashkimin Europian. Është ky një parashikim ambicioz, por i realizueshëm”, tha Hahn në intervistën dhënë gazetës austriake, Kurir.

I pyetur se a do të largohet Katalonia nga Bashkimi Europian, Hahn u përgjigj se të gjitha palët e përfshira në Spanjë duhet t’i kthehen dialogut dhe se rezultati i zgjedhjeve rajonale në Kataloni nuk ka lehtësuar aspak situatën në terren.

Sa i përket procedurave të unionit kundër Polonisë, ai tha se nuk bëhet fjalë për fragmentarizim të Bashkimit Europian, shkruan rtv21.tv.

“Në disa shtete po përballemi me faktin se sundimi i ligjit ende nuk është i zhvilluar sa duhet”, tha Hahn.

I pyetur se cilat janë përfitimet nga politika e fqinjësisë e unionit, Hahn tha se Bashkimi Europian ose do të eksportojë stabilitet, ose në të kundërtën rrezikon që të importojë probleme.

“Stabilitetin mund të eksportojmë duke zhvilluar shtetet ekonomikisht, ndërsa sundimi i ligjit lehtëson investimet”, qartësoi Hahn./21Media