12:55 / E Hënë, 17 Qershor 2019 / indeksADMonline

Hahn: Këshilli i BE-së duhet të shohë investimin e Kosovës dhe Serbisë për gjetjen e një kompromisi politik

Kompromisi politik në Ballkanin Perëndimor duhet të shpërblehet. Kështu ka deklaruar komisioneri i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn një ditë para takimit të Këshillit të Bashkimit Evropian.

Hahn u bëri thirrje ministrave të BE-së që menjëherë të mundësojnë nisjen e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë Veriore dhe shtoi se do të ishte një sinjal i rëndësishëm për gjithë rajonin.

“Në qoftë se bëhet fjalë për rinisjen e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës, ata duhet të shohin investimin e dy vendeve për gjetjen e një kompromisi politik. Përndryshe ata nuk kanë tjetër nxitje. Gjithkush duhet të kuptojë se sa e rëndësishme është të japësh sinjale në një vend në interes të të gjithë rajonit”, tha ai, transmeton Indeksonline.

Në takimin e nesërm e të Këshillit të BE-së do të shqyrtohet politika e zgjerimit dhe progresi i vendeve në procesin e integrimit evropian.

Ai përsëriti se nëse një vend që ka investuar një pjesë të madhe në perspektivën evropiane dhe udhëheqësit e saj kanë treguar guxim në arritjen e një kompromisi nuk i jepet vendi i merituar, atëherë BE-ja po humbet besueshmërinë.

Ministrat e BE-së do të japin nesër rekomandimet për hapat e mëtejshëm të vendeve që janë në proces të anëtarësimit të BE-së.

Por sipas raportimeve të mediave të huaja,ky vendim edhe mund të shtyhet përsëri./indeksonline/