17:34 / E Mërkurë, 07 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Hahn në Beograd, Vuçiç sheh Himalajet përpara, Kosovën në majë!

“Himalajet i kemi përpara”. Kështu, në mënyrë metaforike u shpreh Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç pas takimit me komisionerin për zgjerimin, Johanes Hahn në Beograd, duke shtuar se kjo nuk është për fajin e serbëve, por siç tha, ka ardhur koha për vendime, që të paguhen çmime të caktuara nga e kaluara dhe të merren vendime për të cilat me vite të tëra mungonte guximi.

”Detyrat më të vështira janë para Serbisë, nuk kemi prekur disa nga pikat e rëndësishme, dhe këto i kemi përpara,” deklaroi Vuçiç, e për atë që ai e quajti, “zingjir i pengesave malore”, tha se duhet të bisedohet.

“Kjo para së gjithash është çështja e Kosovës, përkatësisht Beogradit dhe Prishtinës. Këtu nuk bëhet fjalë për çështjen e emrit, por shumë më shumë, disa mijëra kilometra katrorë, por edhe njerëz, që është shumë më e rëndësishme. Gjithashtu , është e qartë se duhet të zgjidhim problemet me Bosnje Hercegovinën dhe Kroacinë në lidhje me kufijt. Këto janë pengesat tona,” tha ai i bindur që nëse zgjidhen problemet politike, ekonomikisht Serbia “do të rritet si raketë”.

BE e dëshiron Serbinë në familjen e saj, por a e duan vetë serbët vendin e tyre në Bashkimin Evropian, për këtë presidenti i Serbisë tha se do të vendosin serbët.

“Ne do të dalim me propozime se si e shohim të arrdhmen e vendit tonë, në fund vendimin do ta marrin qytetarët. A duam në BE, por duhet të paguajmë çmimin, ose do të vazhdojmë kështu të na ikin edhe gjysma e qytetarëve. Mendoj se është e ndershme të dalim para njerëzve, t’u themi si është puna, dhe ata të vendosin,” tha Vuçiç.