17:15 / E Diele, 22 Nëntor 2020 / Blerim

Hajde urdhëroni: Shesim miell, jo kulturë, teatër, film !

Tempulli i kulturës në Kaçanik, depo e miellit !Sherifi pa alltia, Besim Ilazi, ka vendosur që objektin e këtij institucioni ta jep me qira. Do të miratohet apo jo idea e përçudshme, fjalën e tyre pritet ta thonë këshilltarët komunal, nesër (23 nëntor). Një proverb yni thotë „po të përzihesh me krundet, të hanë pulat“. ——————-

Nga Agim Muhaxheri

Komuna e Kaçanikut hollë i ka punët. Po mbijeton përmes tregtisë së imtë, me supermarketa, marketa, kafiteri, dyqanet e vogla ku shiten specat e patëllxhanat… Sherifit pa alltia në Kaçanik, Besim Ilazit, i raplloi në mendje ta jep në shfrytëzim për më pak se një vit pronën e paluajtshme komunale.

Që të ketë ‚mbulesën juridike’, nxori një Projektrregullore, sipas së cilës, në paragrafin 2.2 të nenit 5 parashihet mundësia që Komuna t‘i jep me qira pallatet e kulturës, teatrot, kinematë… Shumë kollaj ia lidhi kryet kësaj punë… Sipas tij, çka na vyen kultura, teatri, kinematë… Para se të shqyrtohet Projektrregullorja në Kuvend, në holin e Pallatit të Kulturës lejoi të futen thasët me miell… Janë këta thasë të dedikuar për ndihma në këtë kohë të pandemisë, kjo s‘është me rëndësi.

Mbi thasët shihet fotografia gjigante e delegatëve që shpallën „Kushtetutën e Kaçanilut“. Me rëndësi është të bëhet biznesi. Nja tri- katër metra tutje thasëve me miell gjendet salla e vogël – amfiteatri.

Këtu më 7 shtator 1990 është shpallur Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Mund t‘i shkoj mendja dikujt që në këtë amfiteatër të shpohet muri, të vendoset qynga për ventilim dhe skara ku do të piqen qebapat, pleskavicat… Finalja e kësaj marrëzie luhet nesër (23 nëntor), në seancën e KK-së. Do të miratohet apo jo Projektrregullorja, fjalën do ta thonë këshilltarët komunal.

Ekrem Raka, këshilltar komunal, dikur gazetar i Kohës ditore, në një postim të tij në fcb shkruan: „Unë nuk do ta votoj Draftrregulloren… me paragrafin 2.2 të nenit 5 brenda saj“.

Ndërkaq, regjisori Ben Apolloni shprehet: „Dhënia e Pallatit të Kulturës, është edhe një tallje e radhës e Besim Ilazit me qytetin tonë.

Në vend që t‘i kryej punët reth funksionalizimit të Teatrit, për të cilin e ka obligue Kuvendi Komunal, ky del me këtë propozim tani që unë e shoh si gjest sulltanesk“. Në kontekst të marrëzisë së sherifit pa alltia, mu kujtua Ismail Kadare, i cili nė „Mosmarrëveshjen…“ e tij thotë „po të përzihesh me krundet, të hanë pulat“.