11:17 / E Hënë, 18 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Hapet Java Globale e Ndërmarrësisë

Qendra e Inovacionit të Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë kanë bërë sot hapjen e Javës Globale të Ndërmarrësisë 2019.

Uranik Begu nga Qendra e Inovacionit të Kosovës (ICK), tha se Java e Ndërmarrësisë sot fillon në 180 shtete të botës dhe gjatë kësaj jave do të organizohen aktivitete të ndryshme.

“Sot 7 vjet më pas jemi diku rreth 60 organizata, të cilat jemi bashkuar,7 vjet më parë nuk e kemi menduar që nuk do ta kemi lëvizjen e lirë. Bashkimi i forcave na bën të besojmë që ky vend ka një të ardhme të ndritur nëse investojmë në atë që të rinjtë besojnë. Java e Ndërmarrësisë sot fillon në 180 shtete. Gjatë javës kemi mbi 80 aktivitete”, tha ai.

E Arian Zeka nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë tha se para 3 vjetëve kanë pasur gjashtë aktivitete, ndërkaq gjatë këtij viti janë 14.

“Jemi me një kohë interesante kur të rinjtë nuk shohin perspektivë. Thelbi i kësaj jave duhet të jetë ndarja e storieve të suksesit. Ky duhet të jetë qëllimi i kësaj jave”, tha Zeka.