10:04 / E Hënë, 19 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Haradinaj dhe kryeministrja serbe në një takim të përbashkët në Vjenë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj do të jetë i pranishëm në një mëngjes pune në Vjenë bashkë me kryeministrat e Ballkanit Perëndimor.  Takimi në fjalë është thirrur nga kancelari austriak, Sebastian Kurz ku do të diskutohet për perspektivën evropiane të regjionit.

Konfirmimi për këtë takim është bërë nga kabineti i kancelarit Kurz duke bërë të ditur se pjesë e këtij takimi do të jetë edhe kryeministrja serbe, Ana Brnabiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Malit të Zi, Dusko Markoviq dhe Denis Zvizdiq si përfaqësues i Bosnje Hercegovinës.

Ndryshe nga të lartpërmendurit, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev ka anuluar shkuarjen në takim për shkak të problemeve të brendshme politike.

I pranishëm në Vjenë do të jetë edhe komisari evropian për Politika të Jashtme të Zgjerimit dhe Fqinjësisë, Johannes Hahn dhe Komisionerja e BE-së për Ekonomi dhe Shoqëri Digjitale, Mariya Gabriel.

“Kancelari Kurz ka ftuar kryeministrat e Ballkanit perëndimor dhe dy komisarë evropianë në një mëngjes pune”, thuhet në njoftimin nga kabineti i kancelarit austriak, transmeton lajmi.net. “Fillimisht do të diskutohet për perspektivën evropiane të Ballkanit perëndimor. Pastaj do të bisedohet për bashkëpunimin regjional dhe konfliktet bilaterale”,thuhet tutje në raportimin e Tanjug.

Hahn pritet që në këtë takim të jap një vlerësim të përgjithshëm të situatë aktuale në Ballkanin Perëndimor ndërsa Kurz do të transmetojë planet e Austrisë para se kryeministrat e regjionit të ftohen për të dhënë qëndrimet e tyre./Indeksonline/