18:33 / E Shtunë, 31 Mars 2018 / indeksADMonline

Haradinaj: Erdoganin s’e kam vëlla

Pas puçit të dështuar ushtarak në Turqi dy vite më parë, shumë kosovarë ishin solidarizuar me pushtetit dhe Presidentin turk Recep Tayp Erdogan, madje disa nga figurat kryesore të vendit nuk kishin hezituar ta quajnë edhe vëlla.

Ndërkaq Haradinaj në atë kohë kur kishte komentuar grusht-shtetin e dështuar në Turqi, kishte thënë se Kosova e konsideron Turqinë vend aleat, porse ai Erdoganin nuk e ka vëlla.

“Ne është mirë me u marrë me telashe tona, nuk kemi nevojë me dhanë mendime për atje. E konsiderojmë aleat në planin global. Jo nuk e kam vëlla. Unë jam shqiptar, mund ta kem mik dhe partner, por vëlla jo”, kishte thënë Haradinaj.

Ndërkaq tani Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka thënë sot në një fjalim të tij se është i pikëlluar që në Kosovë u shkarkuan nga kryeministri, shefi i AKI-së dhe ministri i Punëve të Brendshme dhe e ka pyetur Ramush Haradinajn se nga kush po i merr këto urdhra.

Erdogan këto deklarime i bëri duke folur për rastin e fundit të arrestimit dhe deportimit për në Turqi të gjashtë shtetasve turq të cilët ishin pjesë e rrjetit të shkollave Guleniste në Kosovë.

Haradinaj ende nuk i ka dhënë përgjigje kësaj deklarate të Erdoganit.