13:11 / E Premte, 17 Maj 2019

Haradinaj: Flora ka qenë vetë e burgosur nga forcat serbe, nuk kam dijeni për fotografinë!

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj nuk ka dashur të komentoj veprimin e djeshëm të deputet së PDK-së, Flora Brovina e cila e bëri publike një fotografi ku shihej një grua duke u dhunuar seksualisht nga disa ushtarë, që më pas patë shumë dyshime për vërtetësinë e saj.

Duke shprehur respektin për deputeten e PDK-së, Haradinaj tha se është në dijeni të kësaj fotografie, por që theksoi se në Kosovë ka ndodhur masakra e krime të shumta nga forcat serbe dhe pjesë e krimeve janë edhe dhunimet seksuale.

 “Duhet me ditë që Flora është vet viktimë, ajo ka qenë vet e persekutuar dhe e keqtrajtuar , e burgosur edhe unë kam shumë respekt për të. Nuk mund ta komentoj këtë nuk kam qenë në dijeni të kësaj fotoje dhe nuk di si me e komentua. Megjithatë nëse kalojmë prej kësaj pjesës së fotos për të cilën nuk di si ta komentoj është me rëndësi që të kthehemi dhe të qëndrojmë në atë që ne e dimë, në Kosovë kanë ndodhur masakra, ka viktima civile shumë, ka fëmijë të vrarë, pleq, ka viktima të dhunës seksuale është e vërtet kjo”, tha Haradinaj.

Kreu i ekzekutivit theksoi se Kosova me bazën e vetë kushtetuese dhe ligjore mund të themeloj gjykatë që dënon gjenocidin serb, por sipas tij sa pranohen kompetencat e saj është diçka tjetër.

“Kosova me bazën e vetë kushtetuese e ligjore mund të krijua gjykatë edhe mund të krijoj dhoma të posaçme pra është e drejtë e Kosovës më e bë. Unë mendoj se në rast të votimit të parlamentit ne mund ta bëjmë, sesa është kompetenca e kësaj dhe çfarë juridiksoni i pranohet gjykatës tonë nga palët tjera ajo është diçka tjetër”, tha Haradinaj.

Këto komente kryeministri Ramush Haradinaj i bëri nga Shqiponja ku mori pjesë në manifestimin e përvjetorit të 20- të çlirimit të kësaj zone.

Kujtojmë që dje teksa po mbahej seanca për gjenocidin serb në Kosovë prej ku u nxor edhe një rezolutë, deputetja e PDK-së, Flora Brovina para mediave bërë publike një fotografi ku shihej një grua duke u dhunuar nga disa ushtarë në të cilin ajo tha se ishin serb dhe gruaja ishte nga Kosova. Nxjerrja e kësaj fotografie ngjalli reagime të shumta, ku më pas u vu në dilemë edhe vërtetësia e saj.