18:10 / E Mërkurë, 03 Janar 2018 / indeksADMonline

Haradinaj kërkon nga Kuvendi ta zgjidhë çështjen e demarkacionit (Video)

Viti 2017 është vlerësuar shpesh herë viti i kryeministrit dhe kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinajt. Ky vit nisi për të me arrestimin në Francë me një urdhërarrest të lëshuar nga Serbia, e të cilin Franca e zbatoi.

Pas disa muajsh qëndrimi pa të drejt lëvizje në Francë, Haradinaj kthehet në Kosovë për t’u bërë pas disa muajsh kryeministër i vendit për herë të dytë.

Në një intervistë për Indeksonline, Ramush Haradinaj ka folur për Francën, udhëheqjen e Qeverisë së Kosovës, problemin me energjinë elektrike, rritjen e shumëpërfolur të pagave, numrin e madh të kryeministrave, demarkacionin etj.

“Ka qenë i habitshëm arrestimi im në Francë, e kam ditë që kam urdhërarrest apo ndalesë por s’kam prit ta respektoj Franca. Nuk i frikësohem më arrestimeve, unë nuk jam ndal as në të kaluarën dhe as s’do të ndalem”, ka thënë Haradinaj.

Duke folur për qeverisjen e tij 100 ditëshe, kryeministri ka treguar për problemet me të cilat po përballej vendi kur ai u bë shef i ekzekutivit si dhe të arriturat e tij që nga marrja e postit.

Ai nuk ka lënë pa përmendur edhe kritikat që i janë bërë prej kur u bë kryeministër, duke thënë se as numri i madh i zëvendësministrave, as rritja e pagave e as numri i vogël i femrave në institucione nuk është diçka me të cilat lavdërohet.

Megjithatë, Haradinaj ka theksuar se paga e tij pavarësisht rritjes, vazhdon të mbetet më e vogël se e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli dhe Presidentit të vendit, Hashim Thaçi.

Në intervistën e fundvitit për Indeksonline, Haradinaj ka folur edhe për çështjen e ratifikimit të marrëveshjes për demarkimin e kufirit me Malin e Zi. Ai i ka bërë thirrje Kuvendit që ta dërgoj marrëveshjen sa më shpejt para deputetëve, të cilët sipas tij, do të ishte mirë ose ta rrëzojnë ose ta miratojnë dhe të vazhdohet tutje me këtë proces.

Sa i përket kërkesës së disa deputetëve të Kuvendit të Kosovës për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale, shefi i ekzekutivit ka thënë se nëse ky ligj sillet prapë në Kuvend dhe shfuqizohet, atëherë ai do ta respektoj, pasi që sipas tij, Kosova nuk mund t’i ikë drejtësisë, pavarësisht se kjo nismë ka dëmtuar raportet me miqtë ndërkombëtarë.

Kryeministri ka folur edhe për deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët hodhën gaz lotsjellës në sallën e seancave plenare, duke thënë se është kundër përndjekjes së tyre, kur dihet se ata kanë bërë një gjë të tillë në të mirë të vendit.

Për më gjerësisht më poshtë gjeni intervistën e plotë të kryeministrit Ramush Haradinaj për Indeksonline. /Intervistoi: Donika Sherifi/