20:03 / E Enjte, 02 Gusht 2018 / indeksADMonline

Haradinaj kërkon të merren masa ndaj atyre që djegën flamurin e Turqisë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka kërkuar nga  organet e rendit që të ndërmarrin të gjitha masat ndaj atyre që nuk respektojnë interesat shtetërore të Kosovës.

Kjo kërkesa e tij vije pasi disa qytetarë janë shfaqur duke djegur flamurin e Turqisë, transmeton Indeksonline.

“Qeveria e Kosovës është e përkushtuar në ndërtimin e raporteve të mira me të gjitha vendet e rajonit dhe ka konsideratë të veçantë për bashkëpunimin e mirë me vendet që kanë njohur dhe ndihmuar pavarësinë e Kosovës. Qeveria e Republikës së Kosovës është e vendosur dhe kërkon nga organet e rendit që të ndërmarrin të gjitha masat ndaj atyre që nuk respektojnë interesat shtetërore të Kosovës dhe ndaj atyre që prishin harmoninë dhe bashkëjetesën e qytetarëve të saj, pa marr parasysh përkatësinë e tyre etnike”, ka shtuar Hardinaj.

ai ka ritheksuar se Qeveria e Kosovës është kundër gjuhës dhe deklarimeve fyese që bëhen në drejtim të Republikës së Turqisë dhe popullit turk, nga kushdo qoftë në Kosovë.

Haradinaj thotë se ata dënojnë fuqishëm çdo akt vandal që përdhosë simbolet nacionale dhe shtetërore të Turqisë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës rithekson fuqishëm qëndrimin e saj kundër deklarimeve dhe gjuhës fyese ndaj Republikës së Turqisë dhe popullit turk, nga kushdo qoftë në vendin tonë. Qeveria, gjithashtu, dënon fuqishëm çdo akt vandal që përdhosë simbolet nacionale dhe shtetërore të Republikës së Turqisë”, ka thënë Haradinaj./Indeksonline/