16:17 / E Martë, 08 Janar 2019 / indeksADMonline

Haradinaj: Më keni zënë ngushtë, Thaçi ka punët e veta, ne tonat

Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se ka lajme të mira për shpalljen e investitorëve strategjikë në dhjetëditëshin e parë të këtij muaj me gati 2 miliardë euro në sektorin e turizmit dhe energjisë.

Ai këto komente i bëri pas takimit me ministrin e MTI-së, Endrit Shala, me të cilin biseduan për çështje që kanë të bëjnë me ekonominë.

Haradinaj tha se Qeveria e Kosovës është e interesuar të heqë sot taksën nëse Serbia njeh shtetësinë tonë, ndërsa nuk ka dashur të komentojë deklaratën e presidentit Hashim Thaçi për taksën ndaj mallrave të Serbisë.

“Për presidentin më keni zënë ngushtë, nuk kam koment. Presidenti ka punët e veta, qeveria i ka punët e veta”, ka porositur ai.

Duke folur rreth kërkesave të minatorëve të Trepçës, kreu i Ekzekutivit tha se kjo ndërmarrje ka qenë peng i çështjes politike, por janë gati për këtë zhbllokim të situatës.

Ndërsa, ministri i Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shala theksoi se kanë biseduar për investitorët strategjikë, që sipas tij janë 11 aplikues dhe nga fillimi i muajt do të fillohet me shpalljen e tyre si investitorë strategjikë.

Sa i përket çështjes së çmimit të naftës, Shala ka thënë se me ligjin e ri do të ketë një rregullator për rregullimin e çmimeve të derivateve.