07:26 / E Enjte, 29 Tetor 2020 / Blerim

Haradinaj-Stublla në panelin Ministror të Ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor, flet për realitetin e Kosovës

Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, përmes një postimi të bërë në faqen zyrtare FB ka bërë të ditur se mbrëmë ka marrë pjesë në panelin Ministror të Ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor me temë “Të Rinjtë, Migrimi dhe Sfidat Demografike në Ballkanin Perëndimor”.

Ajo në fjalën e saj ka njoftuar pjesëmarrësit për realitetin në Kosovë, ndërsa ka theksuar edhe mungesën e liberalizimit të vizave.

Ky është postimi i tij:

Pata kënaqësinë mbrëmë të jem pjesëmarrëse e panelit Ministror të Ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor me temë “Të Rinjtë, Migrimi dhe Sfidat Demografike në Ballkanin Perëndimor”, me ftesë të Ministrit Federal të Punëve të Jashtme të Gjermanisë Z. Heiko Maas, nën moderimin e Ministrit Gjerman të Shtetit për Evropë Z. Michael Roth.

Në fjalën time ndava me pjesëmarrësit realitetin e Kosovës si vendi më i ri e me popullsinë më të re në Evropë, dhe i ftova të shfrytëzojmë bashkë potencialin e lartë të Kosovës dhe rinisë së mrekullueshme të saj, duke u bashkuar në iniciativën tonë për të themeluar në Prizren një Qendër Rajonale për Start-up dhe Inovacion.

Poashtu theksova se Ballkani Perëndimor duhet të mirënjoh realitetin brenda vetes së pari, para se të kërkojë integrim të mëtejmë në strukturat eurointegruese. Vetëm mbi parimin e barazisë do të mund të ndërtojmë të ardhme të përbashkët.

Në fund, nuk kisha se si të mos e theksoj mungesën e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, duke kërkuar nga Presidenca Gjermane dhe BE-ja veprim strategjik dhe vendosmëri për të përqafuar afër vetes rininë e jashtëzakonshme kosovare.