17:43 / E Enjte, 30 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Haradinaj: Toleranca fetare, vlerë e traditës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi sot se bashkëjetesa, bashkëpunimi dhe toleranca në mes të komuniteteve të të gjitha besimeve fetare në Kosovë është vlerë e traditës e cila duhet çmuar.

Ai këto komente i bëri gjatë një takimi me Ipeshkvin e Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, me bashkëpunëtorë, me të cilin bisedoi për zhvillimet aktuale në vend.

Krerët e Kishës Katolike Shqiptare të Kosovës e përgëzuan kryeministrin Haradinaj për dinamikën e re qeverisëse, duke shprehur mbështetjen për institucionet e shtetit – me lutje – për një frymë të re.

Kryeministri Haradinaj, me këtë rast e njoftoi Ipeshkvin Gjergji për Projektligjin për Liritë Fetare, i cili tashmë ka kaluar në lexim të parë edhe në Kuvendin e Kosovës, i cili do të rregullojë mirëfunksionimin e të gjitha bashkësive fetare në Kosovë.

Ndërkaq, Imzot Dodë Gjergji, përshëndeti angazhimin e kryeministrit Haradinaj për procedimin e Projektligjit për Liritë Fetare, duke vlerësuar harmonin ndërmjet bashkësive fetare në Kosovë, e cila sipas tij është kultivuar dhe vazhdon të jetë prezentë në shoqërinë kosovare.

Ipeshkvi tha se Kisha duke u përpjekur ta ruajë vetveten, po ruan edhe imazhin e Kosovës.