20:57 / E Diele, 31 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Haradinaj uron Vitin e Ri, zotohet se nuk do i zhgënjejë qytetarët

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, në prag të ndërrimit të motive ka uruar gjithë qytetarët e Kosovës, shkruan Indeksonline.

Përmes njëpostimi në facebook, Haradinaj ka thënë se ndonëse po e presin shumë sfida, ai zotohet se nuk i zhgënjejë qytetarët e vendit.

Ky është postimi i tij i plotë:

Në prag të ndërrimit të moteve kam marrë urime të panumërta, nga shqiptarë çdokund ne botë, nga qytetarë kosovarë e miq të Kosovës, me urimet më të mira për mua, Anitën dhe fëmijtë, për familjen time të gjërë, Haradinaj!
Më kanë uruar për prosperitetin e Kosovës, që na obligon t’i shërbejmë me devotshmëri dhe dashuri.

Sonte, kur mblidhemi sipas zakonit rreth votrës së zjarrit, me familjarë e miq, i kujtojmë dëshmorët e lirisë, që iu bënë dritë Atdheut!
U mbulofshin me lavdi të përjetshme!

Më kanë shkruar ata që e duan Kosovën unike, duke më porositur që të ndërtojmë koncensus që së bashku t’ia dalim mbanë – ta ruajmë Republikën tonë!
Më kanë shkruar për të më uruar bashkëpunëtorë të mi nga AAK-ja dhe kabineti qeveritar, punëtorë, diplomatë e artistë, pensionistë, policë e mësues … Për çka i falënderoj nga zemra!

Jam i vetëdijshëm se Atdheu ynë, Republika e Kosovës, ka përpara shumë sfida, por zotohem se nuk do t’ju zhgënjejë, sepse do të përballem me tërë fuqinë e mendjes dhe shpirtit me problemet e vendit dhe së bashku me ju qytetarë kosovarë – me forcën e ligjit – do ta bëjmë një Kosovë të jetueshme, për vete dhe brezat që vijnë pas nesh!

Zoti ju bekoftë Juve dhe familjet Tuaja!
Paqja dhe dashuria mbretrofshin në familjet dhe shtëpitë Tuaja!

RH