Haradinaj: Zjarrfikësve t’u ofrohet zgjidhje e qëndrueshme dhe afatgjate
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj përmes një postimi në Facebook, ka cilësuar se zjarrfikësve duhet t’u ofrohet zgjidhje përmes ligjit.
Sipas tij, kërkesat e tyre janë përfillur, duke filluar me buxhetin prej një milion euro për nivelimin e koeficienteve, zgjedhjen e problemit të pagesës, shërbime mjekësore pa pagesë, blerjen e pajisjeve të reja dhe po ashtu shqyrtimi i mundësive për t’u paguar orët shtesë.
Më poshtë mund të shihni postimin plotë:
Që nga fillimi kemi punuar që Zjarrfikësve t’u ofrohet zgjidhje e qëndrueshme, afatgjate dhe përmes ligjit.
Dhe kjo po ndodhë tani!
Nga 5 kërkesa që kanë pasur zjarrfikësit ne sot, konkludojmë se:
* Kemi ndarë buxhet mbi një milion euro për nivelimin e koeficienteve në nivel vendi për zjarrfikësit, veprim ky që drejtpërdrejt shton të hyrat financiare për këtë shërbim.
* Kemi miratuar Koncept Dokumentin për Financat e Pushtetit Lokal që zgjidhë përfundimisht problemin e pagesës për ta, duke e kaluar këtë përgjegjësi në nivelin qendror.
* Kemi iniciuar procedurën për shërbime mjekësore pa pagesë, në shtëpi shëndeti dhe në spitalet tona.
* Jemi në fazën përfundimtare të blerjes së pajisjeve të reja për punë, në vlerë prej 600 mijë eurosh.
* Përkundër që në ligjin ekzistues orët shtesë duhet paguar nga Komunat, ne kemi marrë zotime që do e shqyrtojmë mundësinë të ndajmë mjete financiare edhe për këtë kërkesë.
* Në ligjin e ri për paga, jemi duke punuar që zjarrfikësit të jenë të barabartë me të gjitha shërbimet e tjera nacionale që kanë rrezikshmëri të lartë në punë.
Orientimi ynë është që ky shërbim, të marrë rolin e një force nacionale që do të shërbej për vendin.
Temat e pa trajtuara prej dekadash, po marrin zgjidhje!