18:24 / E Martë, 13 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Hasani i prezanton BE-së bukuritë që Kosova ofron gjatë katër stinëve të vitit

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani po qëndron në Sofje të Bullgarisë, ku mori pjesë në konferencën “Turizmi dhe zhvillimi ekonomik’, bashkë me ministrat e turizmit të shumë vendeve të Evropës.

Hasani në një postim në Facebook ka shkruar se në konferencë ka folur për mundësitë që Kosova ofron gjatë katër stinëve të vitit sa i përket turizmit, shkruan Indeksonline.

Sipas tij, shtyllat kryesore prioritare të turizmit në Kosovë janë, turizmi kulturor, turizmi malor dhe alpinist, turizmi rural, turizmi ekologjik dhe alternativ, turizmi aktiv, udhëtimet ndërkufitare.

Ja postimi i plotë i Hasanit:

Turizmi i bashkon njerëzit dhe shtetet

Me qëllim të tërheqjes së turistëve ndërkombëtar dhe prezantimit të atraksioneve natyrore të Kosovës, sot mora pjesë në konferencën “Turizmi dhe zhvillimi ekonomik’ në Sofje të Bullgarisë ku po marrin pjesë ministrat e Turizmit nga shumë vende të Evropës. Para kolegëve ministra prezantova kushtet e favorshme që ofron Kosova për zhvillimin e turizmit.

Fola edhe për mundësitë që Kosova ofron për turizëm në katër stinët e vitit dhe përpjekjet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për integrim sa më të shpejtë në familjen Evropiane, duke punuar në zhvillimin ekonomik të vendit, përfshirë këtu edhe zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm vendor me standarde Evropiane.

Atraksionet natyrore të mrekullueshme të tilla si malet e larta, ujëvarat, shpellat, liqejtë, lumenjtë, burimet termominerale etj, kanë filluar të paketohen si produkte turistike dhe ofrohen për shitje në formën e tureve aktive dhe avanturistike, turizmit rural, sporteve dimërore, ecje në natyrë, alpinizëm, etj. Këto aktivitete kanë filluar të përfshihen edhe në ofertat e përbashkëta rajonale dhe ndërkufitare si p.sh. Peaks of the Ballkan , Via Dinarica atj.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, duke njohur rëndësinë e turizmit dhe kontributin në zhvillimin ekonomik të Kosovës, është e përkushtuar që ta zhvilloj një turizëm të qëndrueshëm dhe konkurrues.

Shtyllat kryesore prioritare të turizmit në Kosovë janë, turizmi kulturor, turizmi malor dhe alpinist, turizmi rural, turizmi ekologjik dhe alternativ, turizmi aktiv, udhëtimet ndërkufitare. /Indeksonline/