20:45 / E Hënë, 28 Maj 2018 / indeksADMonline

Hasani: Qytetarët gjithnjë e më shumë po i bashkohen programit të NISMA’së

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani njëherësh kryetar i degës së NISMA Socialdemokrate në Gjilan, është duke vazhduar krijimin e nëndegëve të kësaj partie nëpër të gjitha lagjet dhe fshatrat e qytetit të Gjilanit. Ai nëpërmjet një postimi në Facebook, ka treguar se sonte ka themeluar edhe nëndegën e NISMA’së në Qendrën e Gjilanit. Kryetar i kësaj nëndege sipas Hasanit është zgjedhur, Uran Mujku.

“ Procesin e konsultimeve dhe analizës me strukturat dhe anëtarësinë e NISMA Socialdemokrate në Gjilan jemi duke e vazhduar ende. Veç kësaj po vazhdojmë procesin e shtrirjes kudo nëpër Gjilan me krijimin e nëndegëve të reja dhe pranimin e anëtarëve të ri në radhët tona. Në këtë kuadër sonte në Gjilan, themeluam nëndegën e Qendrës së qytetit. Kryetar i kësaj nëndege është zgjedhur Uran Mujku.”, ka thënë Hasani.

Sipas tij, gjithnjë e më shumë po rritet vullneti dhe besimi i qytetarëve në NISMA’në Socialdemokrate. “Gjithnjë e më shumë qytetarët po i bashkohen programit dhe kauzave tona.”, është shprehur Hasani.