75 Mall Live Search
16:00 / E Diele, 04 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Haskuka flet për gjendjen e krijuar nga reshjet e shiut, ka një kërkesë për banorët (Foto)

I pari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka është deklaruar rreth situatës së krijuar në këtë komunë pas reshjeve të dendura të shiut.

Haskuka ka theksuar se reshjet kanë shkaktuar rrëshqitje të madhe të dheut në fshatrat Nebregosht dhe Lokvicë, transmeton indeksonline.

Fatmirësisht sipas tij përpos dëmeve material nuk ka pasur të lënduar.

Ky është postimi i plotë:

Mbrëmë të reshurat e rrëmbyeshme të shiut kanë shkaktuar rrëshqitje të madhe të dheut në fshatrat Nepergosht/ Nebregoste dhe Llokvicë/Lokvica. Fatmirësisht pos dëmeve materiale nuk ka pasur të lënduar.

Nga momenti që jemi njoftuar për rastin në vend të ngjarjes kanë dalë Drejtori i Inspektoratit dhe Drejtori i Emergjencave të cilët kanë konstatuar gjendjen dhe me Drejtorin e Shërbimeve Publike kanë aranzhuar intervenimet e duhura për hapjen e rrugës dhe rregullimin e gjendjes.

Momentalisht rruga është pastruar nga ekipet e kontraktuara nga komuna. Në ditët në vijim ekipet e Komunës së Prizrenit do të punojnë me inxhinierë në një plan për të sanuar gjendjen në fshatin Nebregosht dhe për të eliminuar rreziqet e ngjashme në të ardhmen, po ashtu ekipet e KEDS do të punojnë në bartjen e trafo stacionit elektrik e cila rrezikohet nga rrëshqitja e dheut.

Kërkojmë nga qytetarët e rajonit të Zhupës që të kenë kujdes të shtuar këto ditë dhe të raportojnë rreziqet nga rrëshqitja e dheut dhe të gurëve ashtu që të miren masa preventive.

Falënderoj drejtorët Islam Thaqi, Faruk Dakaj dhe Levent Kasemi për intervenimin e shpejtë.

Fotot janë nga fshati Nepergosht para dhe pas intervenimit.