18:34 / E Mërkurë, 28 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Hedhja e gazit në Kuvend, bie poshtë iniciativa e deputetëve për amnisti

Një grup deputetësh të Kuvendit të Kosovës patën nisur mbledhjen e nënshkrimeve përmes së cilës kërkohej amnisti për të gjithë deputetët të cilët hodhën gaz lotsjellës në Kuvend si mjet për të kundërshtuar demarkacionin me Malin e Zi dhe Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Indeksonline pati siguruar një dokument, ku Ministria e Drejtësisë, e udhëhequr nga Abelard Tahiri, kishte dhënë opinionin e saj kundër kësaj iniciative dhe se motivet e kësaj nisme sipas MD-së nuk janë në harmoni me motivet për të cilat zakonisht nxirret Ligji për Amnisti.

Në të njëjtën kohë, vet ministri Tahiri kishte dalë publikisht kundër kësaj nisme.

“Ministria që unë udhëheqë, në bazë të përgjegjësive ligjore, sipas kërkesës së Zyrës së Kryeministrit, ka përgatitur Opinionin e saj, i cili evidenton se kjo nismë paraqet regres për rendin juridik dhe mbi këtë bazë do të angazhohem edhe personalisht që kjo nismë të mos mbështetet si e tillë”, pati deklaruar Tahiri.

Ndërsa, pikërisht sot në mbledhjen e Qeverisë është hedhur poshtë ligji për Amnisti.

“Në pajtim me përfundimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Qeveria ka dhënë mendimin për Projektligjin për Amnistinë, i iniciuar nga një grup deputetësh. Në bazë të analizës, Qeveria vlerëson se nisma nuk është në harmoni me motivet e zakonshme për nxjerrjen e ligjit. Projektligji synon përjashtimin nga ndjekja penale individë të caktuar të cilët kanë përgjegjësi penale individuale për veprat përkatëse. Kjo e bënë këtë Projektligj të paprecedent”, është thënë në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar.

Ndryshe janë 15 zyrtarë të lartë shtetërorë, përfshirë këtu deputetë dhe ministra, ndaj të cilëve ka procedura gjyqësore në Gjykatën Themelore të Prishtinës, për arsye të hedhjes së gazit lotsjellës gjatë mandatit të kaluar legjislativ të Kuvendit./Indeksonline/

 

Ministria e Drejtësisë kundër projektligjit për amnisti (Dokument)