20:46 / E Mërkurë, 24 Prill 2024 / S Z

Hovenier e vlerëson produktiv takimin e Kurtit me O’Brien

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, e ka vlerësuar produktiv takimin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me ndihmës Sekretarin O’Brien.

Hovenier, tha se presin që Kosova dhe Serbia të përmbushin obligimet e marra në kuadër të dialogut.

“Kënaqësi të bashkohem me ndihmës Sekretarin O’Brien për takimin e tij produktiv me kryeministrin Kurti. Ne presim që Kosova dhe Serbia të përmbushin të gjitha obligimet e marra në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, ka shkruar Hovenier.

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, ka diskutuar të mërkurën me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të cilit i ka kërkuar përparim urgjent për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

O’Brien ka thënë se për të ecur përpara duhet zbatimi i marrëveshjeve të arritura përmes ndërmjetësimit të BE-së.

“SHBA-ja mbështet rrugën e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike. Për të ecur përpara, ne kemi nevojë për zbatimin e zotimeve të ndërmjetësuara nga BE-ja, duke përfshirë përparimin urgjent në Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Kam diskutuar hapat pozitivë të nevojshëm me kryeministrin e Kosovës Kurti sot”, ka shkruar ai në X.