14:59 / E Martë, 14 Gusht 2018 / indeksADMonline

Hoxhaj: Arrestimi i kosovarit nga diaspora në Serbi, edhe një hap prapa në procesin e normalizimit të raporteve

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka reaguar ndaj arrestimit në Serbi të stomatologut kosovar nga Gjermania, Ibrahim Matoshi.

Hoxhaj tha se ky është vetëm edhe një hap më tutje i politikave destruktive të Serbisë kundër popullit të Kosovës. Ai tha se kjo sjellje është e papranueshme dhe duhet të ndalet.

Zëvendëskryeministri Hoxhaj theksoi se kjo përveç që është hap prapa në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve është edhe shkelje e të drejtave fundamentale të njeriut.

“Vazhdojnë politikat destruktive të Serbisë ndaj popullit tanë. Dje e arrestuan një pjesëtar të diasporës kosovare i cili po udhëtonte përmes Serbisë për tu kthyer në shtëpinë e tij në Gjermani. Sjellje të tilla shënojnë regres në procesin e normalizimit dhe janë shkelje e të drejtave fundamentale të njeriut,” ka shkruar Hoxhaj në Twitter.

Ende nuk ka ndonjë lajm se cila është arsyeja e arrestimit të kosovarit nga Gjermania, ndërsa familjarët kanë thënë se nuk dinë asgjë për fatin e Ibrahim Matoshit i cili po mbahet në Vranje.