14:01 / E Hënë, 15 Janar 2018 / indeksADMonline

Hoxhaj flet për fushatën e Serbisë kundër njohjes së Kosovës, ironizon me Daçiqin

Zëvendës kryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj në një intervistë për gazetën malazeze Pobjeda ka thënë se Kosova është e interesuar për vazhdimin e dialogut me Serbinë, ndërsa ka kritikuar ashpër këtë të fundit për sjelljen jo-konstruktive në raport me Kosovën.

Me këtë rast, Hoxhaj ka thënë se Serbia me fushatën e saj agresive kundër njohjeve të Kosovës është në fakt duke e zbuluar karakterin e vërtetë të saj në raport me Perëndimin dhe është duke dëshmuar se është burim i jo-stabilitetit, që ndjek një politikë të jashtme destruktive në raport me një fqinj si Kosova.

“Fushata agresive që po e bën Serbia kundër njohjeve të Kosovës është në fakt duke e zbuluar karakterin e vërtetë të saj në raport me Perëndimin dhe është duke dëshmuar se është burim i jo-stabilitetit, që ndjek një politikë të jashtme destruktive në raport me një fqinj si Kosova”, ka thënë Hoxhaj.

“Deri më tash Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur e kanë njohur zyrtarisht 115 shtete të botës. Po ashtu, Kosova është e anëtarësuar në 67 organizata të ndryshme evropiane dhe botërore. Kjo tregon që integrimi i Kosovës në sistemin ndërkombëtar është proces i pandalshëm dhe një fakt gjeopolitik i mbyllur. Ky fakt është i qartë kudo në Evropë, në përjashtim të Serbisë e cila bën fushatë të vazhdueshme me lajme të rrejshme dhe fushata pa ndonjë efekt”, ka shtuar Hoxhaj.

Hoxhaj madje ka ironizuar me ministrin e Jashtëm të Serbisë, duke thënë që mund t’ia bëjnë dhuratë për festat e fundvitit një dosje të plotë me njohjet dhe anëtarësimet e Kosovës.

“Kurdo që ministri Daçiq ka dëshirë mund t’ia japim një dosje të plotë me të gjitha njohjet dhe anëtarësimet në organizata ndërkombëtare. Ndoshta kjo mund të jetë dhurata jonë për Daçiqin për festat e fundvitit”, tha Hoxhaj.

Ai ka theksuar se kur flitet për normalizim të plotë të marrëdhënieve , ekzistojnë tri qëllime të mundshme.

“Normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka tre qëllime të mundshme. E para është anëtarësimi i Kosovës në OKB, e dyta – vendosja e marrëdhënieve diplomatike si një akt i njohjes reciproke dhe i treti – njohja reciproke”, ka thënë Hoxhaj.