23:03 / E Hënë, 18 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Hoxhaj flet për konsensusin politik, thekson Këshillin e Evropës dhe demarkacionin

Zëvendës kryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj duke folur për temat në të cilat duhet konsensus politik në të ardhmen, ka përmendur edhe Këshillin e Evropës, aplikimin për të cilin e inicioi pak ditë më parë në mbledhjen e Qeverisë.

Hoxhaj tha se konsensusi duhet jo vetëm për shkak të raportit të forcave që e përbëjnë qeverinë dhe opozitën, por edhe për shkak se duhet qasje e përbashkët e të githë akterëve për ta përmbyllur shtet-ndërtimin dhe për të kaluar në një fazë të re të shtetësosë.

Me theks të veçantë, Hoxhaj foli për rëndësinë e aplikimit për anëtarësim në Këshill të Evropës pikërisht në këtë kohë. Ndër të tjera ai përmendi kryesimin e Këshillit të Ministrave, i cili në këto dy vite do të mbahet nga katër shtete mike të Kosovës, pastaj faktin që Kosova është njohur nga shumica dërrmuese e shteteve anëtare të Këshillit të Evropës.

Edhe Kushtetuta e Kosovës, është në përputhshmëri me rregullat e kësaj organizate.

Hoxhaj theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Keshillin e Evropës për qytetarët, duke theksuar kështu të qasjen në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, si dhe anëtarësimin në Procesin e Bolonjës.

Në anën tjetër, Hoxhaj ka folur edhe për tema të tjera, për të cilat ka thënë se duhet konsensus dhe janë të rëndësisë së madhe për vendin.

“Diskutuam për domosdoshmërinë për të arritur konsensus nacional rreth demarkacionit, në funksion të liberalizimit të vizave, krijimit të ushtrisë në Kosovë, aplikimit për statusin e kandidatit në Bashkimin Evropian dhe përmbylljen e dialogut me Serbinë me qëllim të arritjes së njohjes së ndërsjellët dhe anëtarësimit në OKB. Për të gjitha këto tema duhet jo vetëm konsensus politik për shkak të raportit të forcave që e përbëjnë qeverinë dhe opozitën, por edhe për shkak se duhet qasje e përbashkët e të gjithë akterëve për ta përmbyllur shtet-ndërtimin e Kosovës dhe për të kaluar në një fazë të re të shtetësisë”, tha Hoxhaj.

Këto komente Hoxhaj i bëri gjatë fjalimit të tij në panelin me Leonora Kryeziun, Dastid Pallaskën, Ilir Dedën, Arbër Vllahiun, Vjosa Osmanin, Glauk Konjufcën dhe Xhyljeta Mushkolajn të organizuar nga Instituti për Studime Politike në Prishtinë.