13:58 / E Hënë, 30 Nëntor 2020 / C E

Humbja ndaj Dritës i lë pasoja Gjilanit, i largohet trajneri

Gentian Mezani ka dhënë dorëheqjen nga posti i kryetrajnerit të Gjilanit.

Pas humbjes nga Drita në derbi, trajneri nga Shqipëria nuk do të vazhdojë më t’i drejtojë “Skifterat”.

Ky është njoftimi i klubit:

KOMUNIKATË ZYRTARE

Pas ndeshjes derbi të zhvilluar dje, sot kryesia e klubit mbajti një takim së bashku edhe me trajnerin Gentian Mezani, ku u analizua ecuria e deritashme e kampionatit.

Pas insistimit të trajnerit, kryesia e klubit pranoi dorëheqjen e ofruar nga Gentian Mezani, i cili edhe në periudhen kur mungoi për shkaqe familjare, kishte ofruar dorëheqjen, por që nuk ishte pranuar.

SC Gjilani e falënderon shumë trajnerin Mezani për punën dhe rezultatet e arritura së bashku në kampionatin e kaluar. Klubi i uron suksese në karrierë Gentian Mezanit.

Ekipin në ndeshjet në vazhdim do ta udhëheqë drejtori sportiv, Sallah Sherifi.

SC Gjilani
Gjilan, 30 nëntor