10:31 / E Shtunë, 07 Korrik 2018 / indeksADMonline

“Humbje më e rëndë se “turpërimi” nga Gjermania”

Paulinho ndjen se largimi i Brazilit nga “Rusia 2018” që në çerekfinale është më i vështirë për t’u pranuar se poshtërimi i Kupës së Botës 2014. Në vitin 2014, Botërori luhej në Brazil dhe “Selecao” u mposht thellë, 7-1, nga Gjermania, e cila avancoi për të fituar titullin.

Paulinho, i cili luajti në atë lojë në “Belo Horizonte”, tha se humbja ndaj Belgjikës ishte më e ashpër për t’u pranuar. “Për mua, të dyja rastet kanë sjell zhgënjim të madh, – tha Paulinho në një intervistë televizive. – Disfata me Gjermaninë në vitin 2014 ishte shumë e komplikuar, por kjo është më e vështirë”.

Ndërkohë, sulmuesi i Brazilit, Gabriel Jesus, la pas një turne të mundësive të humbura. Ylli i Manchester City i filloi si titullar të pesë ndeshjet e ekipit të tij, por nuk ishte në gjendje të shënonte, edhe pse e kishte bërë këtë gjë 13 herë në Premier League, sezonin e kaluar.

Pas ndeshjes, ai shprehu zhgënjimin e tij për mungesën e golave, duke thënë: “Është frustruese. Kam punuar shumë, por është e vështirë. Kam hequr dorë nga shumë gjëra për të arritur në një turne të tillë të madh, të gjithë e dinë se është një ëndërr. Pikërisht, pas debutimit, goli u bë një obsesion për mua, fatkeqësisht”.