14:47 / E Enjte, 04 Janar 2018 / indeksADMonline

I akuzuari i premton gjyqtarit se do ta lë drogën

I akuzuari për shitblerje narkotikësh pranoi se është përdorues, por i premtoi gjyqtarit se do ta lë drogën.

G.K nga Prishtina i akuzuar për blerje, posedim dhe shpërndarje të paautorizuar të narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge ka pranuar sot fajësinë pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Në bazë të aktakuzës, G.K pa autorizim dhe me qëllim të shitjes apo shpërndarjes ka poseduar substanca, të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë.

Në pranimin e fajësisë i akuzuari për shitje dhe përdorim të narkotikeve u shpreh thellë i penduar për veprën e cila i vihej në barrë dhe i premtoi gjykatës që më asnjëherë nuk do të kryejë ndonjë vepër të tillë.

“Po, kam qenë përdorues, por kam vendosur dhe i premtoj gjykatës që më kurrë nuk do të përdorë dhe do të i kthehem punës dhe familjes. Me sinqeritetin me të madh, po ta jap besën ty personalisht që më kurrë nuk do të përdorë”, i premtoi i akuzuari, kryetarit të trupit gjykues Shashivar Hoti, me rastin e pranimit të fajësisë.

Duke kërkuar aprovimin nga gjykata të pranimit të fajësisë, Afrim Salihu, avokati i të akuzuarit tha se i mbrojturi i tij d t’i kthehet jetë normale

“Duke pasur parasysh faktin se i mbrojturi im në këtë stad të procedurës e pranoi fajësinë ashtu siç është caktuar në dispozitiv të aktit akuzues, i njëjti do të vazhdojë terapinë te psikiatri me qëllim që të shërohet plotësisht dhe gjithashtu i premton gjykatës që në të ardhmen do të tentojë në maksimum që të bëhet i dobishëm për shoqërinë dhe të i kthehet jetës”, tha avokati Salihu.

Ai për shkak të këtyre rrethanave kërkoi dënim më të butë për të mbrojturin e tij.

“Duke pasur parasysh këto fakte dhe rrethana kërkoj nga gjyqtari i çështjes që gjatë matjes se lartësisë së dënimit të ketë parasysh këto fakte dhe në asnjë mënyrë të mos ia caktojë ndonjë dënim i cili do të kontribuojë negativisht në të ardhmen e tij” deklaroi avokati Afrim Salihu.

Edhe prokurori i çështjes Hivzi Bajraktari tha se pajtohet me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit dhe gjithashtu kërkoi nga gjykata që gjatë matjes dhe shqiptimit të dënimit të marrë si rrethanë lehtësuese faktin e pranimit të fajësisë nga ana e të akuzuarit.

Sipas prokurorisë në tetor të vitit të kaluar policia duke vepruar në bazë të planit operativ “Stop Drogave në Kosovë”, në afërsi të Pallatit të Rinisë në Prishtinë ka ndaluar për kontroll veturën e tipit “Peogoet” , me ngjyrë të gjelbër të cilën e drejtonte i akuzuari,

Prokuroria pretendon se gjatë kontrollit të veturës në derën e pasagjerit është gjetur një qese e vogël e plastikës dhe një cigare me narkotikë e llojit marihuanë.

Më tutje, në aktakuzë thuhet se të akuzuarit G.K. iu gjet edhe sasi tjetër e marijuanës

“Pas arrestimit dhe shoqërimit atij i janë gjetur dhe sekuestruar edhe shtatë qese të tjera të vogla të plastikës të mbushura me narkotikë të llojit marihuanë”, thuhet në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, marijuanë iu gjet të akuzuarit edeh gjatë kontrollit të shtëpisë.

“Me rastin e kontrollimit të shtëpisë së të akuzuarit, në dhomën e tij i janë gjetur edhe 70 qese të vogla të zbrazura, me ç’rast pas ekzaminimit nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë, të mostrave të sekuestruara nga policia është vërtetuar se substanca e lartcekur përmban kanabis (marijuanë), që përmban tetrahidrokanabinol, me peshë të përgjithshme prej 12.02 gramë”, thuhet në aktakuzë.

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet të enjten.

Temat: