I akuzuari për drogë dënohet me burg dhe me gjobë
Gjykata në Mitrovicë e ka gjetur fajtor dhe e ka dënuar Kabir Salijeviqin, i cili akuzohet për veprën penale blerja, posedim, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm apo substancave psikotrope.
Para shpalljes se aktgjykimit është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor në të cilën u dha fjala hyrëse dhe ajo përfundimtare.
I akuzuari Kabir Salijeviq me rastin e deklarimit rreth fajësisë tha se ndjehej i pafajshëm dhe se do të vërtetohet pafajësia e tij.
Ndërsa prokurori Ismet Ujkani gjatë shqyrtimit gjyqësor u deklarua se duke u bazuar në provat si fotoalbumi ku shihet substanca narkotike e llojit heroinë si dhe nga vërtetimi për konfiskimin e narkotikëve do të vërtetohet fajësia e të pandehurit.
Kur u pyet nga prokurori se a ishte ndalur dhe a ishte kontrolluar nga Policia, si dhe se a i ishte gjetur substancë narkotike, i akuzuari pohoi se i ishte gjetur substancë narkotike por se në atë kohë ai kishte pasur një sulm të epilepsisë.
Sipas të akuzuarit këtë substancë dikush ia kishte futur në xhep gjatë asaj kohe, ndërsa para Gjykatës tha se nga kjo sëmundje vuante që nga lindja, për çka në Polici kishte dorëzuar dokumentacionin.
Sipas aktakuzës, Kabir Salijeviq akuzohej se në shkurt të vitit 2009 në Mitrovicë kishte blerë substancë narkotike me qëllim të shitjes.
Paraprakisht ai ishte përcjell nga Policia pasi që kishin pasur informacione se ai do të takohej me një person afër urës kryesore me qëllim që të shesë substanca narkotike për të fituar materialisht.
Më pas ai ishte arrestuar nga Policia dhe gjatë kontrollit në trupin e tij ishin gjetur dhe konfiskuar pesë paketime me heroinë, të vendosura në një kuti me shtatë tableta të ngjyrës së bardhë, ndërsa në emër të shitjes si avans ka pranuar nga N.N. personi 2.000 dinarë serbë.
Me këtë ka kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm.
Pas aktgjykimit të shpallur nga gjyqtari Beqir Halili, i akuzuari u dënua me 1 vit burgim dhe 300 euro gjobë.
Në këtë dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak nga 28 shkurti deri më 31 dhjetor të vitit 2009. Kurse gjobën do ta paguajë në afat prej gjashtë muajsh.
Sipas gjykatësit Beqir Halili, Gjykata këtë dënim e ka bazuar në faktin së është e pakontestueshme se nga kontrolla e Policisë të akuzuarit i është gjetur substanca narkotike e llojit heroinë e përzier me acetaminofen (paracetamol dhe kafeinë)./kallxo.com/