08:04 / E Enjte, 08 Shkurt 2018 / indeksADMonline

I akuzuari për krime lufte ankohet se nuk mund të fle

Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës ka vazhduar gjykimi kundër Zoran Vukotiq. Ndaj të njëjtit tashmë janë të ngritura tri aktakuza.

Derisa këtë javë në këtë gjykatë po zhvillohet maratonë e gjykimeve lidhur më me aktakuzën për vrasjen e katër civilëve shqiptarë ditën e 5 Majit 1999, në njërën nga seancat Vukotiq u ankua se nuk mund të fle rehat që 2 muaj. Sipas tij njëri nga të burgosurit që gjendej në qendrën e paraburgimit ku gjendet tash i akuzuari Zoran Vukotiq që 60 ditë bërtiste dhe nuk mbante qetësi.

“Dua të ankohem pasi që sot mezi që kam qëndruar në gjykim dhe frikësohem se nuk do të jem në gjendje që ta përcjell gjykimin deri në fund. Që dy muaj e kam këtë problem, unë e kam njoftuar edhe menagjmentin disa herë, por ata nuk e kanë zgjidhur problemin, një i paraburgosur që 60 ditë është duke bërtitur dhe duke bërë zhurmë”, tha Vukotiq.

Ai tutje shtoi se i njëjti po e shante me nënë tashmë të akuzuarin, dhe jo vetëm ai, por edhe të burgosurit e tjerë ishin të nervozuar më të.

“Ju lus që të kontaktoni me drejtorin e burgut, pasi që ai nuk po e trajton kërkesën time dhe mund të ndodh që unë të fle në gjykatë”, shtoi Zoran Vukotiq.

Më pas mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Miro Deleviq tregoi në seancë se bëhej fjalë për Skënder Bislimin, të cilin ai po e mbronte në një rast tjetër.

Ndërsa prokurori Flynn tha në gjykatë se ai edhe më herët kishte kërkuar që Vukotiq të sillej në Mitrovicë për shkak të numrit të lëndëve në të cilat është i përfshirë i njëjti, ku gjatë dy muajve të ardhshme seancat do të jenë të ngjitura njëra pas tjetrës.

Kurse gjyqtari Darius Sielicki shpjegoi se i akuzuari nuk është në paraburgim me lëndën në të cilën ishte ai kryetar i trupit gjykues, por se kjo çështje do të merrej në shqyrtim.

Ndryshe, Zoran Vukotiq ishte ekstraduar nga Mali I Zi në Kosovë në nëntor të vitit 2016. Ndërsa momentalisht gjendet në qendrën e paraburgimit në Dyz.

Temat: