20:21 / E Hënë, 02 Korrik 2018 / indeksADMonline

Institucioni i fetvasë dhe muftiu (II)

E  Drejta Juridike Islame është normativa e vullnetit të Zotit dhe ligji i jetës së myslimanëve. E Drejta Romake, e Drejta Anglosaksone dhe e Drejta Islame janë tri të drejtat më të famshme në botë. E Drejta Islame është një prej lëndëve studimore më interesante në shumë universitete të njohura të botës. E, në të Drejtën Islame, “fetvaja” është sekuenca juridike më precize e saj.

Shkruan: Dr. Mustafa Bajrami

Çka është fetvaja dhe si formulohet ajo? Çka nuk bënë dhe çka është e domosdoshme për fetvanë?

Në kuptimin gjuhësor (etimologjik) fjala “fetva” nënkupton mendimin apo vendimin ligjor. Në kuptimin përmbajtjesor (terminologjik) fetvaja ka të bëjë kryesisht me vendimin ligjor sheriatik rreth një pyetje, një dispozite, norme, ligji apo vendimi që i prekë interesat e myslimanëve. Kur themi “në kuptimin terminologjik”, fetvanë e kuptojmë edhe si domethënie e një përgjigjeje për një çështje të re ose të një rasti të ri që nuk është shfaqur më parë. Zemahsheriu në “el-Kesh-shaf” thotë se fjala “fetva” është nxjerrë nga kuptimi i fjalës “feta” (djalë i ri). Pra, nëse termin “terminologji” e miratojmë në domethënien e ligjit të sheriatit, atëherë kuptimi metaforik i “feta”-së (djalë i ri), mund të përdoret edhe për fetvanë që në këtë rast është përgjigjja ndaj një çështje apo rasti të ri. Të mos harrojmë; personi që pyet për një fetva quhet “mustafti”, ndërsa ai që përgjigjet me fetva, quhet “mufti”. Dhënia e fetvasë si proces, quhet, “el-ifta”.

Pra, fetvaja është gjykimi juridik islam mbi një çështje të caktuar. Është mendim-vendimi ligjor islam autoritar. Është interpretimi i posaçëm të cilin e bënë myftiu për një çështje të caktuar. Në kontekstin fetar, fetvaja mund të ketë më shumë se një kuptim. Ajo jo domosdoshmërish është vendim formal që duhet jetësuar. Fetvaja mund edhe të kontestohet nga dijetarët përkatës për fetvatë. Fetvaja dallon nga ajeti kur’anor dhe nga hadithi i pejgamberit a.s. Si e tillë, ajo ka të bëjë me diçka që nuk është e precizuar në Kur’an apo sunnet (që nuk ka nass për te), por është mendim-gjykimi që mbështetet në ajete të Kur’anit dhe në hadithe të pejgamberit a.s. Edhe një herë; personi i specializuar apo i autorizuar për fetva, quhet “mufti”.

Në shkencat juridike islame, fetvaja është lajm (el-ihbar) mbi fjalën e Zotit rreth një çështje të caktuar. Fjalët e Zotit janë ajetet e Kur’anit. Sipas imam Sheltutit, ajetet që flasin rreth dispozitave islame janë dy llojesh: që kanë zbritur pavarësisht nëse kishte pyetje paraprake për ndonjë dispozitë, dhe, ato që kanë zbritur si përgjigje ndaj pyetjeve paraprake që i shtroheshin Muhamedit a.s. nga as’habët e tij. Ka mendime se fetva është vetëm ajo që jepet si përgjigje ndaj një pyetjeje, të tjerat jo. Kështu, sipas Dr. Muhamed el-Asgari, për tu quajtur diçka “fetva”, përveç që duhet të jetë e bazuar mbi normat juridike islame, asaj duhet t’i paraprijë pyetja dhe duhet të trajtojë një çështje konkrete. Sipas tij, mendim-vendimi që nuk e ka karakterin e përgjigjes ndaj një pyetjeje, është udhëzim (irshad), e nëse nuk e trajton një çështje të caktuar, është mësim (t’alim). Gjithashtu, një numër i madh i juristëve islam (përveç shkollës juridike hanefite), mendojnë se, sikur që fetvaja nuk është fetva pa pyetje paraprake, ajo nuk mund të jepet as si vetëm hipotezë për një çështje të presupozuar. “Kur të ndodh, pastaj pyet”, thonë fukahatë. Megjithatë, shkolla hanefite mendon se fetvaja mund të jepet edhe për çështje të presupozuara. Vetë Ebu Hanife thoshte se dijetari mysliman duhet të jetë i përgatitur ashtu që, nëse ndodh diçka, përgjigja (fetvaja) duhet të jetë përgatitur paraprakisht.

Nëse i referohemi Dr. Asgarisë, fetvaja dallon prej mendimit individual i një dijetari. Përderisa fetvaja ka të bëjë me qëndrimin e prerë që arrin shkallën e vendimit, mendimi individual i dijetarit është opinion interpretues. Mendimi si mendim, pra, si interpretim që është, nuk e ka peshën e fetvasë. Sipas shkencës së Usuli Fikhut (Metodologjia e së Drejtës Islame), një mendim mund të arrijë shkallën e fetvasë vetëm pasi t’i plotësoj këto kushte:

  • Të jetë në përputhje me provat ligjore të nxjerra nga ajetet kur’anore dhe nga ndonjë hadith i pejgamberit a.s., me kusht që hadithi i marrë për bazë të mos jetë i deroguar nga një hadith tjetër;
  • Të jetë lëshuar nga personi apo institucioni zyrtarë përkatës. Ky person duhet të ketë njohuri të mjaftueshme sa të quhet mufti dhe/apo, të jetë lëshuar fetvaja nga zyra përkatëse dhe legjitime e fetvave;
  • Të jetë e liruar nga oportunizmi individual dhe të mos jetë e varur apo e ndikuar nga politika;
  • Të jetë adekuate për nevojat e kohës. Fetvaja nuk bënë të jepet sot për një kohë të kaluar e as për një të ardhme të pacaktuar.

Burimet bazë të së drejtës islame

Burimet e të drejtës islame prej nga nxjerrën ligjet e sheriatit janë katër: I pari është Kur’ani që është libri i shpallur nga Zoti. I dyti është Sunneti që përmbledh veprimtarinë e Muhamedi a.s. në krejt çka ka thënë, çka ka bërë, çka ka pëlqyer, çka ka ndaluar dhe çka ka miratuar. I treti është Ixhmai, apo konsensusi i dijetarëve, dhe, i katërti është Kijasi, që është analogjia apo krahasimi i gjërave për të nxjerr një përfundim që nuk është përmendur në tri burimet tjera të sheriatit.  Analogjia, në fakt është ixhtihadi. Edhe pse për ixhtihadin do të flasim pak më vonë, këtu do të përmendim vetëm faktin se ixhtihadi është përpjekja e një dijetari apo e disa dijetarëve për të ardhur me një përfundim të caktuar rreth një çështje të pa qartë mjaftueshëm apo që është e kontestueshme. Ixhtihadi ka të bëjë me studimin e principeve bazë të së drejtës islame nga të cilat nxjerrën përfundimet e nevojshme. Ato përfundime duhet të kenë karakterin e përgjigjeve adekuate ndaj nevojave sociale dhe sipas imperativit të kohës kur ata jetojnë. Sipas kësaj, siç thotë edhe Muhamedi a.s, është e domosdoshme që në çdo shekull të gjinden njerëz të cilët këtë detyrë do ta kryejnë në përputhshmëri me dispozitat e fesë islame dhe paralel me nevojat e kohës.

Me rastin e përgatitjes së një fetvaje, përveç katër burimeve të lartpërmendura, duhet të merren në konsideratë edhe mesalihul mursele (interesi i përgjithshëm ose publik), kavlu sahabe (opinioni ligjorë i sahabëve), urfi (e drejta zakonore), esbabul ihtilaf (arsyet dhe motivet e mosmarrëveshjeve midis ulemave), dhe të tjera. Faktori kohor dhe hapësinor  është gjithashtu i domosdoshëm të merret parasysh.

Fetvaja si deklaratë ligjore islame të cilën e lëshon juristi, dijetari mysliman apo muftiu, në të shumtën e rasteve, pra, ka të bëjë me një pyetje, me një ngjarje, apo me një nevojë të caktuar. Fetvaja mund të lëshohet me kërkesë të një personi civil, të një gjyqtari apo si përgjigje ndaj një pyetjeje të caktuar që e brengosë muslimanin.

Dhënia e fetvasë është përgjegjësi kolektive e muslimanëve (farz kifaje). Muslimanët lirohen nga përgjegjësia edhe nëse vetëm një person i autorizuar e kryen atë obligim në një mjedis të caktuar. Fjala “mjedis” këtu është përdorur në kuptim të regjionit të një muftinie. E nëse ndodh që në atë mjedis askush nuk jep fetva, apo nëse askush nuk autorizohet për dhënien e fetvasë, atëherë i gjithë mjedisi është përgjegjës, ndërsa autoriteti më i lartë fetar i atij vendi do të japë llogari para Zotit të Madhërishëm. Pra, duke qenë se fjala është obligim dhe përgjegjësi kolektive (farz kifaje), autoriteti më i lartë fetar i vendit është i obligueshëm të autorizojë një person adekuat për dhënie të fetvasë.

Islami ndalon lëshimin e fetvave nga njerëzit që nuk i përmbushin kushtet e nevojshme për lëshimin e fetvasë. Por, edhe nëse ata i përmbushin kushtet e nevojshme, edhe vetë fetvaja duhet të jetë e përpiluar mbi bazën e mësimeve juridike islame, gjithsesi, edhe në përputhje me përkufizimet që i janë bërë asaj në tekstet klasike. Në tekstin e fetvasë është e ndaluar të përmendet ndonjë sure apo ndonjë pjesë e ndonjë sure të Kuranit, ndonjë ajet apo ndonjë pjesë e ajetit të Kuranit pa shqyrtuar paraprakisht tërësinë kur’anore apo të haditheve në lidhje me temën që e prekë fetvaja. Me fjalë të tjera, respektimi i parakushteve objektive dhe subjektive të lëshimit të një fetvaje, është mase i domosdoshëm. Pra, ndalohet përdorimi tekstual dhe paushall i ajeteve të Kur’anit  apo i haditheve të pejgamberit si tekste argumentuese pa njohjen adekuate të tërësisë së ajeteve që flasin për temën. Thënë shkurt, pa konsultimin rigoroz të tërësisë kur’anore në lidhje me çështjen, fetvaja është e paqëndrueshme.

Kush është myftiu i parë në historinë islame

Historikisht, përveç që fetvaja është njëra nga institucionet ligjore më të rëndësishme në Islam, ajo është edhe më i hershmja. Daton nga koha sa ishte gjallë Muhamedi a.s. i cili personalisht kryente funksionin e muftiut. Ai vetë i shpjegonte dispozitat islame dhe i përgjigjej pyetjeve që i parashtroheshin nga as’habët. Fetvatë e pejgamberit a.s. në fakt janë pasqyrimi më real i konceptit të sheriatit si mënyrë unike të jetës së muslimanit. Përmbajtja e funksionit të dhënies së fetvasë tek Muhamedi a.s. konsiston në udhëzimet se si të sillen besimtarët në jetën e tyre dhe si të jetojnë në koordinim me ligjet dhe vullnetin e Allahut. Këto ligje dhe ky vullnet i Zotit është Shpallja, Kur’ani i Madhërishëm.

Pas vdekjes së Muhamedit a.s. u paraqit nevoja e institucionalizimit të fetvasë. Dijetarët dhe udhëheqësit myslimanë të asaj kohe ishin shumë të kujdesshëm në dhënien e fetvave. Ata, asnjëherë nuk prunë vendime pa konsultime të shumta dhe paraprake mes vete. Ndër më të shquarit dhe më të kujdesshmit ndaj institucionit të fetvasë, rrjedhimisht ndaj dinamikave të kohës, ishte Omeri r.a. Janë të njohura 45 ndërhyrjet e tij në çështje juridike dhe administrative islame. Dikur, ne patëm shkruar enkas për gjenialitetin e Omerit a.s. se si i analizonte gjërat, si i përcillte dinamikat e kohës dhe me sa kujdes e interesim i shikonte zhvillimet e gjithëmbarshme të botës së atëhershme. Ajo që këtu na intereson rreth qëndrimeve të Omerit r.a., është pikërisht vendosmëria e tij që të formonte komisione ekspertësh që do të merreshin me çështje të cilat i preokuponin qytetarët e shtetit islam. Ato komisione me gjuhën e sotshme lirisht mund të quhen edhe si mexhlise, këshilla, organe, akademi, departamente, apo zyre të specializuara.

Fetvaja në kohën bashkëkohore

Është fakt i pamohueshëm se interneti ka lehtësuar dhe përshpejtuar qasjen tonë në mendime të ndryshme të dijetarëve. Pranojmë, përshëndesim dhe i jemi mirënjohës zbulimeve të gjithëmbarshme teknologjike. Megjithatë, nga ana tjetër, interneti ka shkaktuar pashmangshëm hiper-produktimin edhe të portaleve që prezantojnë fetva të dëmshme dhe të paverifikuara mirë. Fetvatë e prezantuara në to, përveç që janë të paverifikuara, ato, në asnjë mënyrë nuk mund dhe nuk duhet të zëvendësojnë qasjet dhe studimet serioze të dijetarëve që prezantohen nëpër libra. Përgjigjet ad-hoc të shpërndara nëpër internet, përveç që kanë krijuar huti dhe divergjenca shumë herë të rrezikshme, ato, as nuk mund të jenë udhëzuese të duhura për njohuri të nevojshme. Është mase e nevojshme verifikimi i besueshmërisë dhe kredibilitetit të personave që japin fetva të panumërta nëpër rrjetet sociale dhe në portale të ndryshme.

Së këndejmi, fetvatë e lëshuara në internet nga individë të ndryshëm, të panjohur dhe të paautorizuar nuk janë legjitime. Ato janë rezultat i trajtimit arbitrar të një individi që i bënë institucionit të fetvasë. Fetvatë e tilla zakonisht krijojnë huti dhe përhapin opinione të dëmshme dhe kontradiktore në shoqëritë myslimane. Fetvaja nuk është rregullore abstrakte, por është vendim që bihet si përgjigje ndaj çështjeve me rëndësi në jetën e myslimanit. Mënyrë më e mirë dhe më e qëndrueshme në lidhje me fetvatë është shkrimi i tyre në letër dhe botimi i menjëhershëm. Gazeta zyrtare e institucioneve fetare islame është formati më legjitimin në lidhje me çështjet që i prekin fetvatë.

Fikhu bashkëkohor

Pasi t’i kemi kuptuar normat kryesore të fetvasë dhe rëndësinë e institucionit të saj, myslimanët duhet të kuptojnë mirë, ta quaj, edhe fikhun bashkëkohorë. Ata duhet ta dinë dhe ta mësojnë mirë fetvan si fenomen. Duhet të lexojnë dhe të kuptojnë problemeve basgkëkohore, duhet t’ njohin çështjet, pyetjet, ngjarjet dhe nevojave e kohës. Duhet të dinë të bëjnë dallimin mes fetvasë në nivel ymmeti dhe atë në nivele rajonale. Meqë në kohën bashkëkohore shumica e shoqërive muslimane kanë përzgjedhur mënyrën vetanake të formimit të mexhliseve për fetva, enkas për vendet e veta, edhe Kosova do të duhej ta kishte themeluar deri më tani një zyre, apo mexhlis, apo departament, apo drejtorat të fetvave. Mendoj se jemi populli musliman i vetëm në botë që nuk kemi drejtori të veçantë për fetva. Kjo është për çdo kritikë dhe, natyrisht, aspak e pranueshme.

Me termin “fetva në nivel ymmeti” nënkuptojmë fetvatë e lëshuara nga dijetarë dhe juristë islam me përmasa globale. Këto fetva kanë karakterin përgjithësues për çështje të fikhut që lidhen me ngjarjet të cilat reflektojnë të gjitha shoqëritë myslimane. Ato kanë të bëjnë me konditat që reflektojnë prej kohës në kohë në të gjitha shoqëritë muslimane. S’do mend se ngjarjet e mëdha që kanë ndodhur dhe që po ndodhin nëpër shoqëritë myslimane kërkojnë reagime urgjente të fikhut, si shkencë dhe si nxjerrje e fetvave. Fetvatë në nivel ymmeti kërkojnë njerëz profesional që do t’i kishin përkthyer ato fetva në gjuhët e tyre.

Shikuar nga ky aspekt, fetvatë individuale apo rajonale më shumë janë pengesë se sa kanë ndonjë domethënie pozitive për myslimanët. Fetvatë në nivel ymmeti kanë karakterin e nxitjes së myslimanëve që ta kuptojnë jetën dhe rrethanat në të cilat jetojnë. Ato janë mjete të fuqishme për stabilizimin dhe rregullimin e gjendjes kaotike që i ka kapluar myslimanët. Këto fetva, detyrimisht duhet të kenë karakterin e “mesatares” së Islamit. Ato duhet të manifestojnë frymën toleruese që e ka Islami. Siç jemi dëshmitarë të dinamikes kaq të shpejt të jetës sonë dhe të këtyre ndryshimeve rapide që po ndodhin, problemet e shoqërive myslimane janë akumuluar tejmase. Roli i udhëheqësve fetarë, nën këto rrethana është i pazëvendësueshëm.

Për këtë arsye them se dhënia e fetvave sot duhet të jetë në frymën e jetës dhe të kohës në të cilën po jetojmë. Fetvatë sot duhet të lëshohen në frymën e leximit të klasikës islame, të mësimeve të Kur’anit dhe të Sunnetit, dhe, duke i marrë për bazë ato, të shikohet në dinamikat e kohës. Edhe nëse sot shumë segmente të jetës sonë kërkojnë ndryshimin e fetvave të kaluara, të tanishmet gjithsesi duhet të jenë në pajtim me burimet bazë të sheriatit. Ndryshimi i fetvasë duhet të kenë karakterin emancipues, bashkëkohës dhe të jetë përgjigje ndaj nevojave dhe dinamikave të tanishme. Islami nuk duron të jetë i strukur vetëm në të kaluarën. Feja e Zotit i ka të gjitha kapacitetet e nevojshme të jetë edhe sot avangarde në zhvillimet shoqërore. Fetvatë e tanishme, pra, edhe duhet të jenë të bazuara në frymën dhe shpirtin e Islamit, edhe duhet të jenë përgjigje adekuate ndaj kërkesave të tanishme. Në të kundërtën, fetvatë nuk duhet të preken.

Vazhdon:

 Çka është myftiu, kush mund të jetë mufti dhe përse Kosova nuk ka zyre të fetvave. Apo, si është e mundur që Kosova të mos ketë edhe sot e kësaj dite mufti, mufti në kuptimin juridik të fjalës?