09:50 / E Premte, 05 Tetor 2018 / indeksADMonline

Respekt për ty, Gjermani!

(Në shenj respekti për ushtarët e Gjermanisë që po e lënë Kosovën dhe në shenjë falenderimi për Gjermaninë që aq shumë na ka ndihmuar!)

Shkruan: Dr. Mustafa Bajrami

Shumë herë në ligjëratat e mia nëpër xhami, sikur edhe në shkrimet që i kam botuar aty-këtu, përkrah gjeneratës së parë të muslimanëve për të cilët kam thënë se duhet marrë shembull nga ajo gjeneratë, krahas tyre, pra, e kam thënë dhe e kam shkruar shumëherë se nga gjermanët dhe nga Gjermania mund të kishim mësuar shumë. Mund të mësojmë edhe më tutje.

Historia e Gjermanisë së pas Luftës së Dytë Botërore, kam thënë, duhet lexuar mirë dhe duhet studiuar thellë. Është ajo periudhë shumë e veshtirë për gjermanët, por shumë domethënëse për botën e jo vetëm për ne. Atëbotë, kur atdheu i gjermanëve ishte i shkatërruar tërësisht, ishin quar në këmbë i madh e i vogël për ta rimëkëmbë vendin. Të rinjtë kishin kaluar me vite në aksione vullnetare për të ndërtuar Gjermaninë. Posaçërisht gruaja gjermane kishte dhënë një kontribut të pa shoq në histori. Gratë gjermane kishin përgatirur ushqime për punëtorët vullnetarë, mbase, ajo vetë kishte marrë pjesë në ato aksione. Së bashku me burrat dhe pa asnjë dallim në punë.

Duke lexuar atë pjesë të historisë gjermane dhe duke u inspiruar tejmase nga ai aktivitet gjigand, dikur, në shkrimet e mia pata propozuar që shqiptarët domosdo duhet mësuar atë. Pata propozuar më shumë se një herë të bëhen tema doktorate në lidhje me atë periudhë. Sigurisht se do të kishim mësuar faktin se si qe e mundur që një shtet i shkatërruar plotësisht, një shoqëri e vrarë e e persekutuar tejmase nga të tjerët që kishin djegë Gjermaninë, për më pak se 15 vite të ishte rimëkëmbur deri në atë nivel, ku, pas 9 vjet lufte shkatërrimtare, gjermanët të organizonin Kampionatin Botëror të Futbollit dhe të zënë vendin e parë në botë.

Ka qenë dashtë, duhet edhe sot, që profesorët e historisë, apo/dhe të sociologjisë, apo/dhe të psikologjisë e të drejtimeve të tjera të kishin angazhuar studentë të vyeshëm për të hulumtuar dhe gjetur energjinë dhe motivet që inspiruan gjermanët të janë kaq të sukseshëm në jetë. Të ishte hulumtuar fakti tjetër se si është e mundur të jenë kaq respektues të ligjit e të çdo gjëje që i rrethon në vendin e tyre.

Për çudinë time dhe për fatin e keq tonin, askush nuk bëri qoftë edhe një të vetmin studim të tillë. Dëshira ime nuk e realizua ndërsa propozimet që i kisha dhënë nuk patën fatin të jetësoheshin as edhe një në praktikë.

Jo pse i ka përzgjedhur Zoti nga të tjerët, por sepse janë njerëz perfekt në respektimin e orarit të punës, të jetës, e duan vendin e tyre, janë xhelozë ndaj çdo gjëje që është gjermane dhe me xhelozi e ruajnë.

Sot kur ushtarët gjermanë po parakalonin nëpër çarshinë e Prizrenit, mua mu kujtua edhe një herë historia e gjermanëve dhe Gjermanisë. Historia e njerëzve që aq shumë e donë punën e aq shumë e donë atdheun e tyre.

Gjermanët janë njerëz punëtorë, janë preciz në jetë. Kombi gjerman është gjigand në dhënie historisë së njerëzimit. Pak popuj ka në botë që i kanë dhënë historisë emra më shumë se gjermanët. Këtë e kanë arritur vetëm me punë, jo me mistifikime se janë popull i zgjedhur i Zotit në tokë. Ato zgjodhën punën për të qenë komb i zgjedhur në histori.

Prandaj, për gjermanët duhet folur e shkruar pa ja nda. Ata e meritojnë të jenë temë studimore tek popujt tjerë. Ata janë mësim i mirë për shumë kë në botë. Një popull që e do kaq shumë punën, që e respekton ligjin kaq shumë, që e do kaq shumë vendin e vet, edhe Zoti do t’ia shtojë bereqetet e Tij.

Nga gjermanët dhe nga Gjermania, pra, kanë çka të mësojnë sidomos shqiptarët. Do të duhej që Kosova të organizonte ekipe studiuesish për ta hulumtuar gjenin e kombit gjerman.

Paqi shëndetin o ju ushtarët dhe eprorët e ushtrisë gjermane. Ju që aq shumë na ndihmuat ta fitojmë lirinë dhe ta ndërtojmë vendin tonë!

Ju qoftë rruga e mbarë e i gjetshi shëndosh e mirë të afërmit tuaj.

Gjermani, të duam! Të mirat që na ke bërë, kurrë nuk do t’i harrojmë.

Dashtë Zoti ua kthefshim me të mira…!