08:46 / E Shtunë, 27 Qershor 2020 / indeksADMonline

Interi arrin akordin me Realin për Hakimin!

Të gjitha problemet për Interin dhe Antonio Conten në krahun e djathtë të mesfushës mund të zgjidhen shumë shpejt. Sipas raportimeve që vinë nga Sky Sport Italia zikaltrit kanë mposhtur konkurencën e Bayern Munich, Manchester City-t dhe Borussias së Dortmundit dhe janë shumë pranë mbylljes së marrëveshjes me Realin e Madridit për 21-vjeçarin maroken Achraf Hakimi. Akordi është arritur mbi bazën e 40 milionë eurove, me Hakimin që ka zgjedhur Interin pasi jo vetëm që do ta ketë të sigurt vendin e titullarit por është edhe i tërhequr nga ideja për të luajtur në San Siro.

Në këtë sezon si kundërshtar me Borussian e Dortmundit, Hakimi arriti të realizonte dy herë në portën e Interit duke udhëhequr verdhezinjtë drejt asaj përmbysjeje spektakolare në Champions League. Në këto dy vite si u huazuar nga Reali i Madridit te Dortmundi, Hakimi ka regjistruar paraqitje fantastike teksa ka arritur të realizojë edhe 12 gola. Ai është lojtari perfekt për skemën 3-5-2 që përdor Antonio Conte pasi mund të luajë në dy krahët e mesfushës dhe përveç se një lojtar që jep shumë asiste di të gjejë edhe rrugën e rrjetës.

Edhe Dortmundi dëshironte të blente kartonin e tij, por mesa duket nuk ja ka dalë ashtu si Bayerni dhe Manchester City, ndërkohë që nëse Hakimi qëndronte te Reali i Madridit do të kishte pak hapësira pasi në krahun e djathtë luan Dani Carvajal.