12:48 / E Martë, 10 Korrik 2018 / indeksADMonline

Investohen 90 mijë euro në dy projekte në Mitrovicën e Veriut

Sot Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, priti në një takim kryetarin e Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, me të cilin nënshkruajti marrëveshje bashkëpunimi për dy projekte infrastrukturore të kësaj komune, e të cilat kapin vlerën totale prej 90 mijë eurosh.

Marrëveshja e bashkëpunimit mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Mitrovicës së Veriut, u nënshkrua për asfaltimin e rrugës “Sami Frashëri” dhe ka vlerën 40 mijë euro, si dhe për asfaltimin e rrugës “Tirana” e që ka vlerën prej 50 mijë eurosh.

Kryetari Rakiq, ishte i shoqëruar nga deputeti i Kuvendit të Kosovës Sllavko Simiq, i cili ka falënderuar ministrin Lekaj, për gatishmërinë për të mbështetur projektet infrastrukturore në Mitrovicën e Veriut, e që kanë rëndësi për banorët e kësaj pjese të vendit.

Ministri Lekaj dhe kryetari Rakiq, biseduan edhe për çështje të tjera, kurse nga ministri Lekaj u ritheksua mbështetja dhe përkushtimi i Qeverisë së Kosovës për të përkrahur të gjitha komunat e vendit pa dallime etnike, duke u bazuar në mundësitë buxhetore dhe ligjore të Ministrisë së Infrastrukturës.

Lekaj u ftua nga Rakiq, që në një të ardhme të afërt të vizitojë komunat në Mitrovicën e Veriut, për të parë nga afër nevojat për investime në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore.​