18:47 / E Martë, 27 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Isa Mustafa kthehet nga shërimi në Gjermani para fillimit të pranverës

Ish-shefi i Qeverisë, Isa Mustafa, ka më se dy muaj që është duke qëndruar në qendrën e rehabilitimit fizioterapeutik, e cila gjendet në qytetin jugperëndimor, Pforzheim, të Gjermanisë. Gjendja shëndetësore e tij po shkon drejt përmirësimit. Kështu po thotë mjeku personal i Mustafës, Halil Krasniqi.

Ai për Express ka dhënë detaje rreth gjendjes shëndetësore të Mustafës. Ka thënë se kreu i LDK’së ka mundësi që të kthehet në Kosovë para fillimit të pranverës.

Ka më shumë se gjashtë javë që ish-lideri i ekzekutivit kosovar, Isa Mustafa, është duke u marrë rregullisht me ushtrime fizioterapeutike në Gjermani. Halil Krasniqi, mjeku i cili po e trajton Mustafën në Gjermani thotë se gjendja e tij shëndetësore është duke shkuar drejtë përmirësimit.

“Mund të ju them se gjendja e zotit Isa Mustafa është shumë e mirë. Ai në mënyrë të rregullt po i vazhdon terapitë fizikale. Po vërehet një përmirësim i dukshëm i gjendjes së tij shëndetësore”, ka thënë Krasniqi.

Tutje ai ka treguar se Mustafa edhe për disa ditë do të qëndrojë në Gjermani për t’i kryer terapitë fizikale. Por ai thotë se duke e parë përmirësimin e gjendjes, Mustafa para fillimit të stinës së pranverës mund të kthehet në Kosovë.

“Besojmë që me këtë ecuri të gjendjes shëndetësore, Msutafa mund të kthehet në Kosovë para fillimit të stinës së pranverës”, ka thënë mjeku i cili po merret me trajtimin e kreut të LDK’së në Gjermani.

Në muajin janar, Isa Mustafa ishte trajtuar në një spital privat në Prishtinë, siç thuhet, për shkak të një gripi, për të vazhduar më pas trajtimin në Gjermani.

Lideri aktual i LDK-së ka mbajtur pozita të larta në hierarkinë komuniste para viteve të 90-ta. Pastaj është bërë pjesë e Qeverisë së Përkohshme të Bujar Bukoshit në ekzil. Pas luftës ka mbajtur pozita në udhëheqjen e institucioneve publike, si në Bordin e UP-së. Një kohë ka shërbyer si këshilltar i Fatmir Sejdiut për t’u bërë pastaj kryetar i Prishtinës deri më 2013. Më 2010 ka marrë pozitën e kryetarit të LDK-së.

Në zgjedhjet e fundit, pas rrëzimit nga pozita e kryeministrit, Mustafa vendosi të mos i hyjë as garës për deputet, duke ia lënë vendin e parë Avdullah Hotit.