17:26 / E Martë, 27 Mars 2018 / indeksADMonline

Ish-komandanti i UÇK-së: Dëshmorët nuk duhet të përkujtohen vetëm për fushatë elektorale

Përkujtimi i dëshmorëve nga politikanët vetëm për interes elektoral, për ish komandantin e UÇK-së Fatmir Humolli, është i papranueshëm. Kjo për faktin, se sipas tij, dëshmorët duhet nderuar dhe kujtuar çdo ditë.

Humolli në një intervistë ka thënë se krahas kësaj, është bërë shumë pak në vlerësimin e luftëtarëve dhe dëshmorëve, ku sipas tij, këtë e dëshmon edhe prezenca dhe veprimi i instrumenteve të Serbisë në Kosovë.

 

“Secili dëshmor, ka rënë në altar të lirisë me qëllim që vendi jonë të zhvillohet. E kur e shohim që vendi jonë nuk është i zhvilluar, kur e shohim që pushtuesi serb ende përmes instrumenteve të veta vepron në Kosovë, kur e shohim atë klasë politike e cila ka qenë naive në vitet e 90-ta kur na ka sjellë në luftë të paarmatosur, dhe prapë kur po e njëjta klasë politike nuk e shfrytëzon rrethanat e favorshme për ta zhvilluar Kosovën, jam i bindur se shumë pak është bërë në vlerësimin e luftëtarëve dhe dëshmorëve. Shpeshherë edhe ardhja dhe përkujtimi i dëshmorëve vetëm për interes elektoral është jo në rregull, është e papranueshme. Sepse ne për çdo ditë duhet t’i kujtojmë dëshmorët”, tha Humolli.

Sa i përket mosndëshkimit të kriminelëve që kryen krime në Kosovë, Humolli thotë se ka ndodhur e kundërta. Në vend të ndëshkimit të tyre, shtetet perëndimore kanë bërë presion që të themelohet një gjykatë për t’i gjykuar krimet e luftës së UÇK-së.

Madje ai thotë se krahas mbështetjes së tyre, dikur shtetet si Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia janë zgjeruar në kurriz të tokave shqiptare.

 

“Si shteti malazez, si ai serb dhe maqedonas, në përqindje të madhe janë toka shqiptare. Dhe fal këtyre shteteve perëndimore dhe politika e Kosovës e cila bazohet tërësisht në ndihmën ndërkombëtare e ka bërë të pafuqishme gjykatën vendore për t’i luftuar kriminelët të cilët kanë bërë krime në Kosovë. E kanë lënë në mëshirën e shteteve perëndimore, kurse shtetet perëndimore kanë bërë presion që të bëhet një Gjykatë për ta luftuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Besoj se në një të ardhme do të ndërgjegjësohet klasa politike dhe duhet të dënohen, sepse dënimi më i madh për pushtuesit serb është zhvillimi i Kosovës”, thotë ish komandanti i UÇK-së.

Komandanti që në Zonën e Llapit është njohur me nofkën “Baci” ka nderuar sot bashkëluftëtarët e tij Agron, Faruk dhe Albert Rama në 19 vjetorin e rënies.

Humolli që ka qenë edhe anëtar i Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës ka kujtuar se si Agron Rama ishte organizuar në fuqizimin e krahut ushtarak qysh në vitet e 90-ta, kohë kjo kur klasa politike ishte dorëzuar para Serbisë.

Sipas tij, LKÇK ka pasur një strategji politike dhe ushtarake për çlirimin e Kosovës për ta shkatërruar pushtuesin serb.

E këto procese në të cilat ka kaluar edhe Agron Rama, sipas Humollit kanë bërë të qartë se Kosova ka luftëtarë të mjaftueshëm dhe se do të vinte momenti për t’iu dhënë armë shumë njerëzve.

 

“Në këtë periudhë ne jemi përpjekur të bëjmë baza, që t’i vendosim armët me qëllim që ato t’i ndahen popullit. E një prej bazave të para të UÇK-së në regjionin e Kosovës është baza ku e ka ndërtuar Agroni për deponimin e armëve të cilat vinin prej Republikës të Shqipërisë në Kosovë. Këtë detyrë e ka pasur me prioritet Agroni. Si bazë, si vend për vëzhgim. Për arsye se ushtria serbe ka qenë gjithmonë në lëvizje, dhe ne është dashur gjithmonë të kemi informacione për lëvizjen e ushtrisë serbe”, tha ai.

Ndërkaq sot është mbajtur akademi përkujtimore për nder të 19 vjetorit të rënies së 10 dëshmorëve, Xhevat Rama, Shqipe Rama, Suzana Rama, Xheladin Rama, Hamide Rama, Agron Rama, Faruk Rama, Albert Rama, Ismet Rama dhe Bejtush Rama.