07:38 / E Martë, 16 Prill 2024 / AR

Ish-ministri gjerman i Mbrojtjes flet hapur për depresionin e tij

Ish ministri gjerman i Mbrojtjes, Karl-Theodor Guttenberg ka folur hapur për depresionin e tij.

Pak më shumë se 13 vjet më parë, Guttenberg, i cili madje mendohej të ishte kancelari i ardhshëm, dha dorëheqjen nga të gjitha postet politike.

Arsyeja ishte plagjiaturë në tezën e doktoraturës, për shkak të së cilës i është hequr doktoratura.

Guttenberg në podcast-in “Out of Depression”, transmeton klankosova.tv, pohoi se dorëheqja që kishte dhënë kishte qenë bekimi më i madh në jetën e tij.

“Ishte një dhuratë vërtet e madhe. Pra, ajo që disa njerëz e perceptuan si një humbje në jetë nga jashtë, ishte bekimi më i madh që mund të më kishte ndodhur mua”, rrëfen ai, shkruan Bild, përcjell klankosova.tv

Madje Guttenberg foli hapur për faktin se mjekët e diagnostikuan me çrregullim të stresit post-traumatik menjëherë pas dorëheqjes.

Edhe sot e kësaj dite, Guttenberg nuk është penduar për tërheqjen e tij nga politika.

“Më vjen mirë që nuk duhet të shkoj më në cirkun politik”, përfundoi ai.

Guttenberg ishte Ministër i Mbrojtjes nga 2009 deri në 2011 dhe më parë Ministër i Ekonomisë dhe Sekretar i Përgjithshëm i CSU. Sot punon ndër të tjera si konsulent menaxhimi.